Vendosni fjalën kyçe....

SHBA premton se do të “mbrojë” një fqinj tjetër të Kinës


Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri një vizitë në Manila për t’u takuar me liderin e sapozgjedhur të Filipineve dhe për ta siguruar atë për mbështetjen e plotë të Uashingtonit përballë veprimeve “destabilizuese dhe të rrezikshme” të Kinës. Kjo fill pas udhëtimit të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve Nancy Pelosi në Tajvan, që shkaktoi përplasje me Kinën.

Traktati i mbrojtjes së ndërsjellë i vitit 1951 midis Uashingtonit dhe Manilës mbetet “i hekurt“, tha të shtunën Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij filipinas, Enrique Manalo.

“Ne qëndrojmë gjithmonë pranë partnerëve tanë… një sulm i armatosur ndaj forcave të armatosura, anijeve publike apo avionëve të Filipineve në Detin e Kinës Jugore do të thirrte angazhimet e mbrojtjes reciproke të SHBA-së sipas atij traktati.”– tha diplomati i lartë amerikan, citon RT.

Përveç diskutimit të çështjeve të sigurisë rajonale me Sekretarin e Jashtëm Manalo dhe Presidentin Ferdinand Marcos Jr., Blinken tha se ata folën gjithashtu për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe “forcimin e demokracisë”.

Blinken është bërë zyrtari më i lartë i SHBA-së që takohet me liderin e sapozgjedhur të Filipineve, djalin e një ish-diktatori, i cili u betua më 30 qershor pas një fitoreje dërrmuese në zgjedhjet e mbajtura në fillim të këtij viti.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë në bashkëpunim me Filipinet për të mbrojtur sundimin e ligjit, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, përfshirë lirinë e shprehjes dhe për të mbrojtur shoqërinë civile.”- tha Blinken.

Blinken aktualisht është në një udhëtim dhjetëditor në Kamboxhia, Filipine, Afrika e Jugut, Kongo dhe Ruanda. Kjo pason vizitën e Nancy Pelosit në Tajvan të martën, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga Pekini se një gjë e tillë do të kishte pasoja diplomatike dhe ushtarake.