Pothuajse katër në 10 emigrantë që futen në Britani nga Kanali Anglez janë nga Shqipëria, ku nuk ka pasur konflikt për një çerek shekulli, zbulon një raport i inteligjencës ushtarake.
Dokumenti, i shënuar ‘i ndjeshëm’, tregon se pothuajse tre herë më shumë emigrantë që mbërrinin në Britaninë e Madhe nga Franca, janë nga Shqipëria krahasuar me çdo vend tjetër.
Raporti, i parë nga ‘Mail on Sunday’, zbulon se nga 2,863 emigrantë të transportuar nga nëntë banda të veçanta të kontrabandës së njerëzve nga 1 qershori deri më 12 korrik, 1,075 ose 37.5 për qind, ishin shqiptarë.
Edhe pse shqiptarët përballen me vështirësi ekonomike në atdheun e tyre, veçanërisht në veri, ai ka qenë një vend kryesisht paqësor që nga një luftë civile në 1997, në të cilën vdiqën më shumë se 2000 persona.
Numri i përgjithshëm i emigrantëve nga Shqipëria ishte shumë më i lartë se nga vendet e tjera. Iranianët përbënin numrin e radhës më të lartë, me 373 emigrantë, ose 13 për qind të totalit.
Kishte 363 emigrantë nga Afganistani (12.7 përqind), 217 nga Iraku (7.6 përqind), 162 nga Siria (5.7 përqind) dhe 163 nga Eritrea (5.7 përqind).
Mbërritja ‘me një biletë emigracioni ekonomik’
Iain Duncan Smith, ish-udhëheqësi i konservatorëve, tha se raporti vërtetonte se njerëzit po vinin ‘me një biletë emigrimi ekonomik’ dhe po abuzonin me sistemin e azilit.
Ai shtoi: “Kjo është një provë absolutisht e qartë, përballë të gjithë atyre në të majtën liberale që na përgjërohen që ne të lejojmë dikë të hyjë, se kjo është një çështje ekonomike dhe, si e tillë, është dëshpëruese që ne të vijojmë me programin Ruanda.”
Të paktën 28,526 njerëz kaluan Kanalin me varka të vogla vitin e kaluar. Të hënën e kaluar mbërritën 696 emigrantë, një shifër rekord ditore për këtë vit.
Richard Tice, udhëheqësi i Reform UK, i cili mori raportin e zbuluar, tha: “Nëse këta njerëz nuk po ikin me të vërtetë për të shpëtuar jetën e tyre, atëherë nuk i takon taksapaguesve britanikë t’i mbështesin ata.”
Një zëdhënës i qeverisë tha: “Njerëzit duhet të kërkojnë gjithmonë azil në vendin e parë të sigurt që arrijnë, në vend që të rrezikojnë jetën e tyre dhe të mbushin xhepat e bandave të pamëshirshme kriminale për të kaluar Kanalin.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Telegraph