Ish-presidenti amerikan Donald Trump mund të skualifikohet nga rikandidimi për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024 pas bastisjes së FBI-së në rezidencën e tij në Florida.
Të paktën kështu pretendon Marc Elias, një avokat i cili sipas “Fox News” ka punuar për fushatën presidenciale të Hillary Clinton-it të vitit 2016.
Të hënën, agjentët e FBI-së ekzekutuan një urdhër kontrolli në pronën e Trumpit në Mar-a-Lago duke kërkuar për dokumente të klasifikuara që ai dyshohet se i mori nga Shtëpia e Bardhë kur la detyrën në vitin 2021.
Avokati Marc Elias citoi Titullin 18 të Kodit të SHBA-së, Seksioni 2071 për të nënvizuar se Trump mund të ndalohet të kërkojë përsëri poste publike.
Kjo në një kohë kur ish-presidenti vazhdon të japë mesazhe të cilat lënë të kuptojnë se së shpejti do të shpallë planet për të kërkuar një mandat të dytë si president.
“Mediet po i mungon arsyeja vërtet, vërtet e madhe pse bastisja sot është një bllokim i mundshëm në politikën amerikane.”– shkroi Elias në një postim në Twitter.
Elias vuri në dukje Kodin e përmendur më lart që thotë se: “Kushdo që ka çdo rekord të tillë procedimi, harte, libri, dokumenti, letre ose diçka tjetër, me dashje dhe në mënyrë të paligjshme fsheh, heq, gjymton, fshin, falsifikon ose shkatërron të njëjtën gjë, do të gjobitet sipas këtij titulli ose do të burgoset jo më shumë se tre vjet, ose të dyja; dhe do të humbasë detyrën e tij dhe do të skualifikohet nga mbajtja e ndonjë posti nën Shtetet e Bashkuara.”
Sidoqoftë, në postimin vijues Elias vuri në dukje se sfidat ligjore mund t’i bëjnë të vështira përpjekjet për të parandaluar Trumpin të kandidojë përsëri sipas këtij kodi.
“Po, e pranoj sfidën ligjore që do të krijonte zbatimi i këtij ligji ndaj një presidenti (pasi kualifikimet janë të përcaktuara në Kushtetutë). Por ideja që një kandidat do të duhej ta kundërshtonte këtë gjatë një fushate është për mendimin tim një ‘blockbuster’ në Politikën amerikane.”– ka shkruar ai.