Vendosni fjalën kyçe....

Briseida Shehaj: Pronat e shqiptarëve kolateral, lekët ikin nga Shqipëria në Holandë


Koordinatorja e luftës kundër korrupsionit në Partinë e Lirisë, Briseida Shehaj ka folur për denoncimin e sotëm të kësaj force politike se kompania e inceneratorit të Tiranës ka marrë 16 milionë euro kredi me pronat publike të vendosura kolateral.

Gjatë fjalës së saj ndërsa ishte e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se këto kredi nuk po shlyhen nga koncesionari, që prej momentit kur nisën arrestimet e SPAK dhe pas hekurave shkuan ish-ministri Lefter Koka dhe deputetit Alqi Bllako.

Sipas Shehajt, paratë që paguhen për inceneratorët po shkojnë jashte vendit, në Holandë.

 “Aktualisht të pashlyera kanë 16 milionë dollarë. Kreditë kanë nisur të mos paguhen kur janë arrestuar Alqi Bllako dhe Lefter koka. Kur është arrestuar Koka nuk janë dhënë 9 milionë euro por vetëm 7 milionë nga kësti që i detyroheshin bankës. Këta kanë lënë si kolateral pronën publike të inceneratorit në Sharrë. Bankat kanë treguar seriozitet në administrim. Miliona euro i ka inceneratori i Tiranës dhe ca milionë ai i Fierit. Kjo kompani ka marrë lekët tona, dhe ka marrë edhe kredi duke lënë peng pronat e shqiptarëve.

Shuma 16 milionë dollarë kredi vetëm për inceneratorin e Tiranës. Kompania e krijuar nga mëma në Holandë ishte krijuar vetëm për të administruar këtë incenerator. Kompania mëmë duhet të sillte 128 milionë euro në Shqipëri për t’i investuar në ndërtimin e inceneratorit, por shkon kjo kompania shqiptare dhe i çon paratë e shqiptarëve në Holandë për zyra, shërbime noteriale dhe ujë e drita andej.”- tha Shehaj.