Ish-efektivi i RENEA-s, Remal Rada, i cili u arrestua më 26 korrik të këtij viti nuk ka lidhje me ekzekutimin e Kastriot Reçit, ngjarje e ndodhur më 7 janar 2020 në qendër të Rrëshenit.
Pas krahasimit të ADN-së së pështymës së ish-efektivit me ato që janë gjetur në vendin e krimit, Policia Shkencore ka arritur në përfundimin se ato nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Reçi u qëllua me një plumb të vetëm me snajper nga një largësi prej rreth 150 metrash nga kati i sipërm i një pallati.
Ish-efektivi i RENEA-s Rada u ndalua më 26 korrik bashkë me 28-vjeçarin Elton Hithi pasi gjatë kontrollit në makinën me të cilën udhëtonin u gjet një snajper i modifikuar.
Rada ishte larguar nga RENEA pranverën e këtij viti. Nga një kontroll tjetër në shtëpitë e dy të ndaluarve u gjetën një pistoletë, dylbi nate e municion luftarak.