Vendosni fjalën kyçe....

Japonia nuk do heqë dorë nga projekti rus i energjisë – Ministri


Japonia nuk do largohet nga projekti i naftës dhe gazit Sakhalin-1 në Lindjen e Largët të Rusisë për shkak të rëndësisë së tij për furnizimin me energji të vendit, raportoi të hënën gazeta Nikkei duke cituar ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë Koichi Hagiuda.

“Për Japoninë, e cila varet nga Lindja e Mesme për rreth 90% të importeve të saj të naftës bruto, Sakhalin-1 është një burim i vlefshëm blerjesh jashtë Lindjes së Mesme.” – tha ai, duke komentuar një dekret të nënshkruar nga presidenti rus Putin në fillimt të gushtit në lidhje me aksionerët e huaj në kompanitë ruse me rëndësi strategjike.

Hagiuda tha se dekreti i Putinit do të thotë se Tokio ‘duhet të ndalojë tregtimin e interesave në Sakhalin-1 me palët e treta ose vendet e treta’.

Kompania japoneze e energjisë SODECO zotëron 30% të aksioneve në Sakhalin-1, së bashku me ONGC të Indisë (20%) dhe Rosneft të Rusisë (20%). ExxonMobil me bazë në SHBA, e cila deri vonë kishte qenë operatori i projektit me 30% të aksioneve, njoftoi synimin e saj për t’u larguar në fillim të marsit.

Prodhimi i fushës së naftës dhe gazit në det të hapur të projektit ka rënë ndjeshëm pas njoftimit të ExxonMobil dhe mes presionit të sanksioneve. Nga fillimi i korrikut prodhimi kishte rënë nga 220 mijë fuçi nafte në ditë në vetëm dhjetë mijë, sipas të dërguarit presidencial të Rusisë në Lindjen e Largët, Yuri Trutnev.

Japonia ka mbështetur SHBA-në dhe BE-në në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë në përgjigje të operacionit të saj ushtarak në Ukrainë. Megjithatë, Tokio heziton të rrezikojë furnizimin e saj me energji.

Muajin e kaluar, autoritetet japoneze i kërkuan konglomerateve Mitsubishi dhe Mitsui që të mbanin aksionet e tyre në projektin rus të gazit natyror të lëngshëm Sakhalin-2 pas transferimit të tij te një operator rus.