Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Konya të Turqisë. Ai ka publikuar një video nga momentet e mbërritjes së tij me avion në Turqi dhe pritjes që i bënë.
Rama tregon se është ftuar nga presidenti turk Recep Tayip Erdogan për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave të Solidaritetit Islamik, ku garon edhe një skuadër Shqipëria. Por përveç kësaj, ai thotë se ka edhe një takim të rëndësishëm pune për projektet e përbashkëta.
“Me ftesë të Presidentit Erdoğan për ceremoninë e hapjes së Lojërave të Solidaritetit Islamik, ku merr pjesë edhe skuadra olimpike shqiptare, si dhe për një takim të rëndësishëm pune në Ankara mbi ecurinë e projekteve të bashkëpunimit.”-shkruan Rama.
Turqia pret nga sot, data 9 deri më 18 gusht edicionin e 5-të të Lojërave të Solidaritetit Islamik, event që u shty një vit më parë për shkak të spostimit të Lojërave Olimpike Verore prej situatës së krijuar nga pandemia COVID-19. Në këto lojëra do të marrin pjesë 55 shtete, për një numër total prej 6000 sportistësh, të cilët do të konkurrojnë në 380 evente në 19 disiplina sportive.