Vendosni fjalën kyçe....

Reagon AZHBR: Akuzat për keqpërdorim të fondeve të BE-së janë të pavërteta, baltë dhe sulme politike


Agjencia për Zhvillim Bujqësor e Rural (AZHBR) ka reguar pas publikimeve të ditëve të fundit në media dhe akuzave të ngritura nga Partia e Lirisë, për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Europian.

Në një njoftim për mediet, AZHBR i drejtuar nga Eranda Selmanaj, i cilësoi si të pavërteta dhe sulme politike akuzat e ngritura.

“Deklaratat e bëra ditët e fundit në media janë baltë e hedhur mbi AZHBR, për interesa politike dhe personale të individëve që i bëjnë ato, krejtësisht të pavërteta.

Këto abuzime me tendencë nuk do të arrijnë të përbaltin kurrë punën intensive dhe me dedikim të 250 punonjësve të cilët kanë arritur ta kthejnë AZHBR në një institucion model në vend për efektivitet dhe transparencë.”– thuhet në reagimin e AZHBR-së.

AZHBR thotë se në emër të transparencës totale, për çdo thirrje për aplikime ka marrë të gjitha masat për të orientuar dhe informuar aplikantët mbi Programin IPARD II në mënyrë që të rritet mundësia për aplikime të suksesshme.

Kujtojmë se Partia e Lirisë akuzoi qeverinë se ka shpërdoruar fondet e BE-së përmes miratimit të projekteve klienteliste përmes Agjencisë për Zhvillim Bujqësor e Rural.

Monika Kryemadhi tha se AZHBR i ka dhënë rreth 2.2 milionë euro dy kompanive fiktive të lidhura me inceneratorët, të cilat nuk kanë asnjë punonjës të deklaruar.

Portali Gogo.al publikoi edhe emrin e përfituesit, i cili rezultoi se është drejtori i inceneratorit që do ndërtohej në Sharrë (Lexo këtu).

Njoftimi i plotë i AZHBR-së:

Informojmë opinionin publik mbi akuzat e pavërteta të subjekteve politike që synojnë të përbaltin punën e rëndësishme që është kryer nga AZHBR në vitet e fundit e cila ka kontribuar cilësisht dhe qenësisht për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, modernizimin e saj dhe rritjen e punësimit në sektor.

Alibia e papërgjegjshme e ngritur si një sulm politik mbi administrimin e AZHBR dhe ‘keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian’ është pa asnjë bazë, e pavërtetë dhe e dënueshme.

Në emër të transparencës totale, AZHBR në bashkëpunim me Autoritetin Menaxhues në zbatim të plotë të procedurave të parashikuara nga Programi IPARD II, për çdo thirrje për aplikime ka marrë të gjitha masat për të orientuar dhe informuar aplikantët mbi Programin në mënyrë që të rritet mundësia për aplikime të suksesshme.

Është hartuar Udhëzuesi për Aplikantët i cili është bërë publik së bashku me dokumentat standarte të aplikimit, dhe janë kryer fushatat informuese në të gjitha qarqet në Republikën e Shqiperise ku në transparencë të plotë janë informuar aplikantët. Në transparencë të plotë, fushatat informuese janë kryer edhe nëpërmjet medias së shkruar dhe audiovizive. Është informuar publiku vazhdimisht mbi projektet e realizuara.

Gjatë shqyrtimit të aplikimeve, AZHBR ka marrë të gjitha masat për të zbatuar në transparencë të plotë Programin IPARD II, mbi parimin e trajtimit të barabartë të çdo aplikimi në respekt të procedurave standarte të akredituara.

Në zbatim të manualit të procedurave dhe Udhëzuesit për Aplikantët AZHBR shqyrton dhe verifikon gjendjen ligjore dhe financiare të subjekteve aplikantë duke kërkuar dokumenta qartësisht të përcaktuara për të gjithë aplikantët njëlloj pa asnjë trajtim të diferencuar.

Kryen verifikimin e pastërtise së figurës së aplikantit nëpërmjet dokumenteve si:

-Vërtetim nga Ministria e Drejtësisë që aplikanti nuk ka qënë i dënuar më parë.

-Vërtetim nga Prokuroria që aplikanti nuk është në hetim.

Kryen verifikimin financiar nëpërmjet dokumentave si:

-Pasqyra e të ardhurave

-Licenca për ushtrimin e veprimtarisë bujqësore

-Libra inventaresh për të gjithë pasuritë fikse të zotëruara nga subjektet

-Dokument nga Banka e Shqiperisë për të verifikuar se subjektet aplikante nuk janë kredimarrës te këqinj.

Bazuar në Udhëzuesin për aplikantë, cdo projekt verifikohet dhe përjashtohet nga granti vetëm nëse:

– Janë të falimentuar ose në proces likujdimi, nëse aktiviteti i tyre administrohet nga gjykata, nëse kane hyrë në marrëveshje me kreditoret, nëse kanë pezulluar veprimtarinë ekonomike apo nëse janë në proces gjyqësor lidhur me të tilla cështje.

– Janë dënuar për një kundravajtje lidhur me sjelljen e tyre profesionale nga një vendim gjyqësor i formes së prerë.

– Nuk kanë përmbushur detyrimet lidhur me pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore ose pagesën e taksave

– Janë gjykuar me vendim Gjyqësor të formës së prerë për mashtrim, korrupsion, përfshirje në një organizatë kriminale apo cfarëdolloj veprimtarie tjetër të pa ligjshme që demton interesat financiare të B.E.

– Janë aktualisht subjekt i nje gjobe adminisrative të përmendur në nenin 96 (1) të Rregullores Financiare.

Në kushtet kur projekti nuk kategorizohet në asnje nga pikat e sipër përmendura AZHBR nuk ka kompetencë investigimi apo hetimi të proceseve por të konfirmojë bazuar në dokumentacionin provues nga institucionet kompetente.

Subjektet e përmendura i janë nënshtuar verifikimit të plotë mbi statusin juridik, dëshmi penaliteti, vërtetim nga prokuroria/gjykata që nuk është subjekt nën hetim, si dhe kanë depozituar dokumentat që vërtetonin poseidimin e ligjshëm të tokës objekt aplikimi, në përputhje me kriteret e aplikimit të cilat janë të njëjta për të gjithë.

Të gjithë keto dokumente janë kërkuar për subjektet që përmenden në media dhe janë konform rregullave dhe kërkesave të akredituara.

Ju sjellim në vëmendjen tuaj që AZHBR është një institucion i akredituar nga Bashkimi Europian dhe i monitoruar përmes filtrave të kontrolleve të brendshme e të jashtme nga disa institucione për respektimin dhe zbatimin me përpikmëri të kritereve të programit, politikave bujqësore dhe akteve ligjore dhe nënligjore të miratuara në zbatim të tyre.

Transparenca është parimi kryesor i punës sonë dhe informacioni i plotë për çdo aplikim gjendet në faqen ëëë.azhbr.gov.al. Çdokush që kontakton Agjencinë merr përgjigje shteruese me shkresë, email apo përmes numrit të gjelbër.

Deklaratat e bëra ditët e fundit në media janë baltë e hedhur mbi AZHBR, për interesa politike dhe personale të individëve që i bëjnë ato, krejtësisht të pavërteta.

Këto abuzime me tendencë nuk do të arrijnë të përbaltin kurrë punën intensive dhe me dedikim të 250 punonjësve të cilët kanë arritur ta kthejnë AZHBR në një institucion model në vend për efektivitet dhe transparencë.