Vendosni fjalën kyçe....

Erisa Xhixho: Lënia e pronave publike si garanci për kreditë e bandave, filozofi e Ramës


Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho thotë se skema e inceneratorëve është një piramidë korrupsioni, në majë të së cilës qëndron kryeministri Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale, zonja Xhixho ka kujtuar denoncimet e reja të bëra publike një ditë më parë nga PL për lënien e pronave publike si garanci për kreditë që përfitojnë kompanitë e inceneratorëve.

Xhixho thotë se kjo është filozofia e Ramës.

“Copëzat që bashkohen çdo ditë po rindërtojnë mozaikun e një skeme të mirëfilltë kriminale, të vënë në zbatim me bekimin e kryeministrit.

Pas përfshirjes në të të pensionistëve në azile, të gjallë e të vdekur, të pastrehë e barinj që mezi sigurojnë bukën e gojës, kjo skemë mafioze përpiu edhe 310 mijë euro nga fondet e programit IPARD. Grantet e pakthyeshme që Bashkimi Europian i jep qeverisë shqiptare si mbështetje për rritjen e kapaciteteve në bujqësi kanë përfunduar në xhepat e atyre që janë në kërkim.

Pronat publike janë lënë peng në banka si kolateral për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Nga 8 kredi të marra në 2021, shqiptarëve u kanë mbetur të paguajnë nga xhepi edhe 16 milionë dollarë.

Kjo është filozofia qeverisëse e Edi Ramës: pronat publike vihen si garanci për kreditë që përfitojnë bandat si ajo e inceneratorëve.

Të humburit janë në çdo rast shqiptarët që varfërohen çdo ditë sepse vidhen çdo ditë nga qeveria e inceneratorëve.”-shkruan Xhixho.