Është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe kompanisë që pritet të ndërtojë projektin “Durrës Yachts & Marina”, portin e ri turistik i Durrësit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se ndërtimi i portit të ri do të krijojë një shpërthim për ekonominë shqiptare.
Në reagimin e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama falënderoi Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara Muhammed Bin Zayed.
“Pas thuajse tre vjet rrugëtimi me shumë hapa, duke kaluar përmes diskutimesh, studimesh, analizash, debatesh, bisedimesh teknike e negociatash jo të lehta, nënshkruajmë sot Memorandumin e Bashkëpunimit, midis “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori e zhvilluesi me famë botërore Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, ndërtimin e portit më të madh turistik të Mesdheut në Durrës.
Një falenderim i veçantë për Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed, pa bekimin e të cilit ky projekt nuk do të ishte i mundur”, shprehet Rama në Facebook.