Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka komentuar të dhënat e Doganave mbi rënien e konsumit të karburantit në vend.
Ndërsa publikon një grafik me shifra, Blushi shkruan se konsumi i naftës ka arritur në nivelet e vitit 2020, kohë kur vendi ishte nën kufizimet e pandemisë së Covid-19.
Blushi akuzon për këtë kryeministrin Edi Rama duke thënë se këto janë pasojat e makutërisë së tij dhe “Bordit të vjedhjes së qyetatarëve” siç e quan ai Bordin e Transparencës me çmimet qiellore të karburantit që ata caktojnë.
“Efektet rrënuese për ekonominë dhe turizmin nga çmimi marramendës i naftës.
Konsumi i karburanteve, sipas të dhënave nga vetë Doganat, është tkurrur ndjeshëm në muajin korrik, duke zbritur në nivelin e vitit 2020, kur vendi vuante nga kufizimet për shkak të pandemisë.
Këto janë pasojat e makutërisë së kryeoligarkut të naftës Edi Rama, me çmimet qiellore të karburantit, që vetë i kontrollon dhe po vetë i vendos, me Bordin e vjedhjes së qytetarëve.”– shkruan Blushi.
Blushi shton se nëse qeverisë nuk i pëlqejnë të dhënat e doganave atëherë duhet të pranojë se niveli i kontrabandës së naftës së lejuar nga shteti është në nivelin 50%.
“Nëse Artistit që vjedh çdo ditë me çmimin e karburanteve nuk i pëlqejnë të dhënat e Doganave, atëherë duhet të pranojë se kontrabanda e naftës, që e garanton shteti dhe prej së cilës ai është përfituesi kryesor, është në nivelin 50%.”– tha ai.