Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, shprehet e penduar pasi ka pozuar për foto me një gotë shampanjë në dorë gjatë një udhëtimi në Ukrainë që ka zhvilluar në fund të korrikut.
“Më vjen keq për foton.”- tha Faeser të martën pasi u pyet për këtë gjatë një eventi live. “Sigurisht që nuk ishte e përshtatshme.”- shtoi ajo, citon RT.
Ministrja e Brendshme u sulmua nga komentuesit dhe opozita në korrik, pasi një foto e saj u bë virale.
Ajo shfaqej së bashku me ministrin e Punës të Gjermanisë, Hubertus Heil dhe ambasadoren në Ukrainë, Anka Feldhusen, duke shijuar një pije me kryebashkiakun e Kievit dhe legjendën e boksit Vitaly Klitschko.
Kritikët vunë në dukje se Ukraina, e cila tani është në konflikt me Rusinë, nuk ishte një vend pushimi apo një vend për të postuar foto të buzëqeshura. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së Mario Czaja, këmbënguli se fotografia me shampanjë “fliste shumë” për anëtarët e Partisë Social Demokratike (SPD) në koalicionin qeverisës të kancelarit Olaf Scholz.
Megjithatë, Faeser këmbënguli se fotografia e diskutueshme tregon se jeta e përditshme po kthehet në Kiev.
“Njerëzit shkojnë në pazar. Përsëri janë mbjellë lule në ambiente publike. Njerëzit shkojnë në bare, ulen në kafene, shkojnë në punë.”– shpjegoi ministrja.
Forcat ruse u tërhoqën nga zonat përreth kryeqytetit ukrainas në fund të marsit dhe në fillim të prillit si “një gjest i vullnetit të mirë” pas nisjes së bisedimeve të paqes me udhëheqjen ukrainase në Stamboll. Megjithatë, negociatat kanë ngecur që atëherë, me Moskën që akuzon Kievin për tërheqje prapa në përparimin e arritur në Turqi.