Më shumë se 1 mijë zjarrfikës po luftojnë me një zjarr “përbindësh” në Francën jugperëndimore që ka shkatërruar tashmë rreth 7 mijë hektarë pyll.
Siç shkruan BBC, zjarri i furishëm pranë qytetit të Bordo ka shkatërruar një numër shtëpish dhe ka detyruar 10 mijë banorë të largohen.
“Është një vigan, është një përbindësh.”– tha përfaqësuesi i zjarrfikësve Gregory Allione për Radion RTL të Francës.
Erërat e forta dhe temperaturat e larta po e vështirësojnë operacionin e shuarjes së zjarrit.
Këtë verë Franca dhe një numër vendesh të tjera evropiane janë përballur me një valë zjarresh vdekjeprurëse, të shkaktuara nga temperaturat rekord dhe thatësirat në të gjithë kontinentin.
Më shumë se 1000 vdekje i janë atribuar të nxehtit në Portugali dhe Spanjë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, një paralajmërim për nxehtësinë ekstreme tashmë ka hyrë në fuqi, me temperaturat që parashikohen të arrijnë 37C në disa zona gjatë katër ditëve të ardhshme. Autoritetet paralajmërojnë se vala e të nxehtit ka të ngjarë të ndikojë në shëndetin, transportin dhe kushtet e punës.
Zjarri i madh në rajonin Gironde të Francës ka shpërthyer prej dy ditësh pranë komunës Landiras, rreth 30 km në jug-lindje të Bordeaux.
Një numër zjarrfikësish është dashur të ridislokohen urgjentisht nga rajone të tjera për të nxitur operacionin në vazhdim. Ata po mbështeten nga avionë të specializuar që kanë lëshuar ujë dhe frenues flake.
Por pavarësisht të gjitha përpjekjeve, zjarri ishte ende jashtë kontrollit të enjten.
“Është hera e parë që ne kemi parë një zjarr si ky.”– tha zjarrfikësi francez Jérôme Jean për faqen e lajmeve BFMTV.
Para evakuimit, disa prej banorëve lokalë duhej të shpëtonin veten në çati pasi flakët iu afruan me shpejtësi shtëpive të tyre.
Temperaturat pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius më vonë të enjten.