Vendosni fjalën kyçe....

Meta poston nenin për referendumet: Do bëj çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka postuar në rrjetet sociale nenin 150 të Kushtetutës që i jep popullit të drejtën të vendosë me referendum.

Por ajo çka mungon nga ky nen është ligji që rregullon parimet dhe procedurat për zhvillimin dhe vlefshmërinë e referendumit.

Për këtë Meta thotë se do bëjë çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit.

Njoftimi i plotë:

Të dashur qytetarë!

Referendumi është një e drejtë kushtetuese, që populli e vendosi vetë me Referendum më 22 Nëntor 1998:

NENI 150

Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.

Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.

Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.

Kanë kaluar 24 vjet që klasa politike nuk nxjerr ligjin për zbatimin e këtij detyrimi kushtetues.

Çdo gjë për t’ia dhënë fjalën sovranit përmes referendumeve, për të bërë të mundur ushtrimin e demokracisë direkte!

“Nisma dhe referendumi e bejnë qeverinë më reaguese ndaj qytetarëve të vet, neutralizojnë pushtetin e interesave të grupeve të veçanta dhe nxisin përfshirjen publike në çështjet shtetërore”. – George Ë. Bush