Vendosni fjalën kyçe....

Mikpritja me “5 Yje” e turistëve në Tiranë, ndëshkim për vonesën e avionit dhe “taksë” për ujin për të larë dhëmbët


Erdhën në Shqipëri me shpresën për të kaluar disa ditë qetësie dhe relaksi dhe për t’u njohur me mikpritjen e famshme të shqiptarëve, por një grup pushuesish nga Italia janë ndeshur me të kundërtën.

Katër turistët, Fausto Erocolani, Gabriele Valigi, Vanessa Sfarra, Andrea Barbarossa kanë treguar se kanë ardhur për herë të parë në Shqipëri.

Siç kanë rrëfyer ata për Hashtag.al, kishin prenotuar një hotel në Tiranë me pesë yje “Rei Holdings” në emër të zotit Erocolani. Mirëpo edhe pse kanë paguar paraprakisht, kur kanë mbërritur në hotel recepsionisti që i priti i ka përzënë duke iu thënë se “jeni paraqitur me vonesë”.

Edhe pse kishin paguar, turistët duhej të “ndëshkoheshin‘ për vonesën 4 orëshe jo për faj të tyre por të avionit të “Whizzair” nga Fiumicino në Tiranë… dhe recepsionisti iu tregoi derën. Hoteli i kishte zënë të gjitha dhomat në orën 2-3 të natës, edhe pse ata kishin prenotuar.

Turistët tregojnë për Hashtag.al se eksperienca e tyre e keqe në Tiranë nuk ndalet me kaq.

Pas shumë debatesh, i vendosin të flenë në një hotel tjetër, por pa të drejtë mëngjesi në asnjërin prej tyre si “dënim për vonesën”.

Nëse menduan se më në fund do shijojnë pushimet, në kthim hoteli nuk kishte ujë. Njëri prej tyre guxon të marrë ujë nga frigobari i dhomës, për të larë dhëmbët. Dhe iu vendos në faturë sigurisht me çmim valute.

Asnjë ndjesë, as për mungesën e ujit në hotel, as për shërbimin jo korrekt dhe sjelljen jo të mirë të personelit. Kjo ishte eksperienca e katër vizitorëve italianë.