Vendosni fjalën kyçe....

Moska: Zvicra nuk është më një shtet neutral, s’mund të bëjë më si ndërmjetës


Moska thotë se Zvicra nuk mund të përfaqësojë interesat diplomatike të Ukrainës në Rusi, pasi ajo ka hequr dorë nga statusi i saj neutral duke iu bashkuar sanksioneve anti-ruse.

Zëvendës zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Ivan Nechayev, shpjegoi se Berna ka pyetur nëse mund të përfaqësojë Ukrainën në Rusi dhe anasjelltas, dhe se si përgjigje morën  një “JO”.

“Ne e bëmë krejtësisht të qartë se për fat të keq, Zvicra ka humbur neutralitetin e saj dhe nuk mund të veprojë si ndërmjetës apo një përfaqësues i interesave.”- tha Nechayev për RT-në.

Nechayev gjithashtu vuri në dukje se Zvicra ka vazhduar bisedimet me Kievin, pavarësisht se e dinte qëndrimin e Moskës për këtë çështje, e cila vetëm konfirmoi se Bernës “nuk i interesojnë vërtet interesat e Rusisë”.

“Kjo vetëm sa përforcon qëndrimin tonë se roli i Zvicrës si ndërmjetës dhe përfaqësues është jashtë diskutimit.”- shtoi diplomati rus.

Nechayev akuzoi Bernën për mbështetjen e Kievit duke iu bashkuar fushatës anti-ruse të nisur nga fuqitë perëndimore dhe Ukraina. “Është e paqartë se si është e mundur që një vend që sillet në këtë mënyrë të ofrojë ndërmjetësim, përfaqësim dhe shërbime të tjera të mira.”– tha ai.

Ky koment vjen një ditë pasi Zvicra dhe Ukraina ranë dakord që Berna mund të përfaqësojë interesat diplomatike të Kievit në Rusi, nëse Moska pranon një marrëveshje të tillë.