Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë ka kritikuar vendimin e Letonisë për ta cilësuar Moskën një “sponsorizuese të terrorizmit“, duke e quajtur atë “absolutisht të pabazë” dhe pjesë të një fushate të gjatë anti-ruse nga Riga.
“A është lajm? Jo”- shkroi Maria Zakharova në Telegram menjëherë pas deklaratës së të enjtes nga parlamenti letonez, i cili akuzoi Rusinë për “akte terrorizmi” në Ukrainë.
“Duke marrë parasysh se nuk ka asnjë bazë faktike për këtë vendim, përveç ksenofobisë së egër, ideologët e kësaj lëvizjeje nuk duhet të etiketohen asgjë tjetër veçse neo-nazistë.”- këmbënguli ajo, citon RT.
Në fillim të kësaj jave, ndërsa deklarata e fundit kundër Rusisë ishte ende në diskutim në parlamentin e Letonisë, Zakharova akuzoi Letoninë se po e zhyt veten në një krizë.
“Dihet mirë se rusofobia patologjike e elitave në pushtet të Letonisë ka shkaktuar tashmë probleme serioze ekonomike dhe sociale në këtë vend baltik, duke ulur standardin e jetesës së popullsisë së tij. Dhe do të përkeqësohet vetëm në të ardhmen.”– paralajmëroi ajo.
Zakharova u bëri thirrje gjithashtu ligjvënësve letonezë “që më në fund të ndalojnë dhe të kalojnë nga të qenit shërbëtorë të zotërinjve të tyre jashtë shtetit në përfaqësues të vërtetë të popullit të tyre, të cilët me të vërtetë kujdesen për fatin e tyre”.