Vendosni fjalën kyçe....

Vendet perëndimore premtojnë 1.5 mld euro për Ukrainën


Shtetet perëndimore janë zotuar se do të ndajnë më shumë se 1.5 miliard euro, ashtu që të rrisin kapacitetet e Ukrainës teksa përballet me luftën e Rusisë.

Kjo shumë është premtuar nga 26 shtete, të cilat janë përfaqësuar nga ministrat e Mbrojtjes, në një konferencë të mbajtur në Kopenhagë.

“Të gjithë përfaqësuesit e shteteve që kanë ardhur në Kopenhagë, kanë ardhur me synimin e mbështetjes së Ukrainës”, ka thënë ministri i Mbrojtjes së Danimarkës, Morten Bodskov.

Paratë do të përdoren për të blerë armë, raketa dhe municion, përfshirë rritjen e prodhimit të armëve për Ukrainën.

Një pjesë do të ndahet edhe për trajnim të ushtarëve ukrainas.

Ministrat e Mbrojtjes të Polonisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke, kanë shprehur gatishmëri për të zgjeruar prodhimin e sistemeve të artilerisë, municionit dhe pajisjeve tjera ushtarake në Ukrainë, ka thënë ministri danez.

Britania është zotuar se do të ndajë 300 milionë euro shtesë, përfshirë sistemet raketore me precizitet të lartë që mund të godasin shënjestrat në largësi prej 80 kilometrash.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se donacionet janë dëshmi për të kundërtën e asaj që mund të ketë menduar presidenti rus, Vladimir Putin – që qeveritë perëndimore do të lodheshin nga konflikti.

Wallace ka thënë se pushtimi rus në Ukrainë ka “nisur të dështojë në shumë aspekte”.

Ukraina i ka bërë thirrje të vazhdueshme Perëndimit që t’i dërgojë më shumë armë, përfshirë artilerinë me rreze të gjatë.

Moska, në anën tjetër, ka akuzuar shtetet perëndimore se po përfshihen në konflikt duke i dërguar Ukrainës më shumë armë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.