Vendosni fjalën kyçe....

Erion Veliaj: Mos të na drejtojnë më fuksat e sigurimit, që ngatërrojnë Tiranën me Kabulin


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri sot inspektimin e fundit në shkollën “Bashkim Fino” në Njësinë 2 e cila hapet në nisje të vitit të ri shkollor.

Por gjatë vizitës së tij, Veliaj thumboi kryetarin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, pas debatit të tyre në ditët e fundit lidhur me kryeqytetin.

“E di që ka nga ata që e quajnë veten ‘çuna të Pazarit’ dhe kanë nostalgji për Tiranën e fuksave duke e ngatërruar Tiranën me Kabulin, por fakti është ky, që, siç erdhën këta nga qytetet e tjera dhe ndërtuan jetën në Tiranë ku lindëm ne, ashtu kjo Tiranë do ofrohet edhe për studentët që janë këtu, të cilët 9 nga 10, sipas statistikave, nuk kthehen më në qytetet e tyre; 9 nga 10 do vijnë në Tiranë, 9 nga 10 do gjejnë një punë në Tiranë, do krijojnë një familje në Tiranë dhe do të sjellin fëmijët tek kjo shkollë.

Eshtë pa sens jo vetëm të krahasosh Tiranën me Kabulin dhe ta bësh me dashje këtë kur ke hallet e ‘Sigurimit’, po është racizëm banal që të thuash që kjo Tiranë po na mbyt, po na mbingarkohet, kur vetë je histori suksesi, je bërë edhe kryeministër edhe president, i ke pasur të gjithë të mirat e kësaj bote prej kësaj Tirane, që u hap për ty dhe do të hapet edhe për të gjithë të tjerët që do të vijnë, sepse është destini i Tiranës.”- u shpreh ai.

Më tej Veliaj tha se qytetarët duhet të sigurohen që “nuk janë më fuksat në drejtim”.