Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur përsëri për projektin e portit të ri të Durrësit, vetëm pak ditë pasi u bëri thirrje qytetarëve të mos blejnë apartamente aty.
Meta shkruan se kryeministri Edi Rama po fshihet pas një historie me kompani guackë për të shtënë në dorë përfitimet nga ky projekt.
“Shqipëria dhe Durrësi kanë nevojë për investitorë seriozë strategjikë dhe vendime, që respektojnë Kushtetutën, sovranitetin shtetëror mbi infrastrukturën strategjike, parimet e konkurrencës dhe transparencës, detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit dhe Procesi i Berlinit.
Injorimi brutal i qytetarëve të Durrësit, i ekspertëve vendas dhe të huaj, i shoqërisë civile, i detyrimeve ndaj Korridoreve europiane të sanksionuara në Samitin e Vjenës (2015), tregon se interesi i tyre dhe ai i vendit nuk ekziston për këtë KM, i cili fshihet pas historive me guacka pas guackash, me investitorë dhe burime të dyshimta parash.”– shkruan Meta.
Pak ditë më parë Meta shprehej se kemi të bëjmë me një skemë piramidale dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos blinin apartamente nga projekti i portit të Durrësit. Të njëjtën thirrje ka bërë edhe kryetari i PD-së Sali Berisha.