Vendosni fjalën kyçe....

“Pasuria publike si kopshti privat i familjes Rama”/ Arben Ristani: Tri fazat e mega aferës në Portin e ri të Durrësit


Partia Demokratike vijon akuzat lidhur me Portin e Durrësit. Anëtari i Kryesisë së PD-së, Arben Ristani ka denoncuar atë që opozita e konsideron mega aferën e Portit të ri të Durrësit dhe liston tre fazat.

“Edi Rama i është rikthyer megaaferës së projektit të Portit të Durrësit, duke dëshmuar se askush nuk mund t’ia ndalë dorën në vesin e vjedhjes.

Megafera e portit të Durrësit ka kaluar në tri faza:

Në fillim u paraqit si një investim strategjik i kompanisë së famshme Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Emmar”.

Më pas, u fol për një tërheqje të Emaar-it dhe, në fund, u prezantua një kompani tjetër, kësaj radhe offshore, e arabit Muhamed el Alabbar.

E vetmja gjë, strategjike e këtij investimi, është strategjia e zhvatjes së pasurive publike dhe vjedhjes, me kuç e me maç, të pronave të patundshme të Republikës së Shqipërisë.”- tha Ristani.

Ai shtoi se Porti i Durrësit është një projekt jashtë çdo procedure dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar.    

“Porti i Durrësit është një projekt jashtë çdo procedure dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar.    

Fakti është, se rreth 1 milion metra katror i jepen një investitori që pritet të investojë 2 miliard dollarë, kur vetëm vlera e tokës, është pothuaj dyfishi.

Fakti tjetër është se planifikohet zhvendosja e portit më të madh të vendit, një lëvizje me implikime jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.

Fakti i pashmangshëm është, se një vend në negociata anëtarësimi si Shqipëria, duhet t’i kodifikojë vendimet me strukturat e BE.

Ne i bëjmë thirrje kompanisë, cilado qoftë ajo, online apo offshore, që të tërhiqet nga ky projekt abuziv dhe korruptiv.

Qeveritë e një vendi janë të përkohshme, ndërsa interesat strategjike, prona publike, interesi kombëtar janë të përjetshëm.”– tha Ristani.

Po ashtu ai përsëriti thirrjen e bërë pak ditë më parë nga kryedemokrati Sali Berisha, që qytetarët të mos investojnë paratë e tyre për blerjen e apartamenteve në këtë projekt.

“U bëjmë gjithashtu thirrje qytetarëve që të mos blejnë asnjë centimetër në këtë hapësirë.  Kjo është një aferë personale e Ramës dhe klanit të tij. Një skotë që prej 9 vitesh i trajton pasuritë publike, nga Tirana në Breg dhe nga Butrinti në Durrës, si kopshtin privat të familjes.

Porti i Durrësit është pasuri publike, aset kombëtar, pronë e shteti shqiptar dhe e qytetarëve të Durrësit, jo e kardashianëve të pushtetit.”– tha ai.