Vendosni fjalën kyçe....

Petrit Vasili i drejton 11 pyetje qeverisë për Portin e Durrësit: Asnjë cm nuk do vidhet nga mafia qeveritare


Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili i është drejtuar me disa pyetje qeverisë për Portin e ri turistik të Durrësit që pritet të ndërtohet.

Vasili thekson se asnjë cm i Portit nuk duhet të lejohet të grabitet nga mafia qeveritare.

Ai e quan të fshehtë dhe pa asnjë transparencë dhënien për ndërtim të Portit të ri të Durrësit.

Letër zyrtare Qeverisë për aferën e Portit të Durrësit!

Qeveria ne menyre te fshehte dhe pa asnjë transparencë po përpiqet të rrëmbejë, një aset strategjik te nje rendesie te jashtezakonshme kombetare si Porti i Durrësit.

Si Deputet i Kuvendit te Shqipërisë i jam drejtuar Qeverise me kërkesë zyrtare për informacion.

Asnjë cm i Portit nuk do te lejohet kurrë të grabitet nga mafia qeveritare”-shkruan Vasili.

Pyetjet e Vasilit drejtuar qeverisë:

A është dhënë statusi i investitorit strategjik?

Nëse po, cilës kompanie i është dhënë ky status?

Jeni shprehur publikisht se investitori do të jetë “Emaar Group” ndërkohë në memorandumin e firmosur nuk përmendet gjëkundi “Emaar Group” ?

Analiza financiare si detyrim ligjor për marrjen e statusit të investitorit strategjik nga cila kompani është paraqitur?

A parashikohet, që ashtu sikurse në rastin e inceneratorëve prona publike të mund të lihet kolateral në Bankat Shqiptare apo të huaja në funksion të marrjes së kredive nga kompanitë e përfshira në memorandum?

Cilat janë masat garantuese që Porti i Durrësit të mos sekuestrohet nga Bankat vendase apo të huaja për shkak të problemeve eventuale të kompanive huamarrëse?

Investimi detyron spostimin e Portit Tregtar aktual, cilat janë masat e marra që Dogana të funksionojë normalisht dhe kjo të mos ndikojë negativisht në realizimin e të ardhurave që lidhen me biznesin ashtu dhe për Buxhetin e Shtetit?

Cila është kosto e Portit të ri tregtar dhe sa është kohëzgjatja e realizimit të ndërtimit të këtij porti?

Në këtë periudhë të ndërmjetme pra të fillimit të ndërtimit të portit turistik nga njëra anë dhe Portit tregtare nga ana tjetër, ku do jetë vendodhja e funksionimit të Doganës portuale Durrës?

Ndërtimi i Portit të ri tregtar do të realizohet me fonde të buxhetit apo do kërkohet një tjetër borxh?

Cili është qëndrimi zyrtar i institucioneve të Bashkimit Evropian për këtë projekt?

Kërkojmë nga ju të na vihet në dispozicion i gjithë komunikimi zyrtare me Bashkimin Europian për këtë projekt.