Vendosni fjalën kyçe....

Policia nxjerr informacionin zyrtar mbi plagosjen e punonjësit të IMT-së



Policia e Tiranës ka publikuar informacionin zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pak më herët në kryeqytet, ku u plagos me armë zjarri një punonjës i IMT-së.

Uniformat blu thonë se punonjësi i IMT-së me inicialet I.G ishte në krye të detyrës dhe sapo kishte ekzekutuar një vendim, pra shembjen e një banese pa leje.

“Plagosi me armë zjarri një punonjës të I.M.T-së, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 kapin dhe shoqërojnë menjëherë autorin e dyshuar.

Policia sekuestron dhe armën e zjarrit pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së krimit.

Më datë 12.08.2022, rreth orës 17:30, në kryqëzimin e rrugës ‘Todi Shkurti’ me rrugën ‘Kristaq Capo’, shtetasi Q. M., 55 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, punonjësin e i IMT-së, shtetasin I. G., 52 vjeç, i cili sapo kishte përfunduar ekzekutimin e një vendimi.

52 vjeçari është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Autori është kapur nga shërbimet e Policisë dhe është shoqëruar në komisariat, së bashku me armën e përdorur gjatë kryerjes së krimit, për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”– thuhet në njoftimin e Policisë.

Punonjësi i IMT-së kishte shkuar bashkë me kolegë të tij dhe efektivë policie për të zbatuar një vendim për shembjen e një banese, por pronari i banesës Qani Muça e ka kundërshtuar vendimin.