Vendosni fjalën kyçe....

Rama publikon faqet e revistës spanjolle: Mbi 18 mijë turistë spanjollë e vizituan vendin tonë këtë verë


Pasi “iu nxi” faqja për shkak të ngjarjes tragjike të Himarës, kryeministri Edi Rama vazhdimisht ka publikuar artikuj të medieve të huaja mbi turizmin në Shqipëri.

Pasditen e sotme Rama shpërndau disa faqe të një reviste në Spanjë “Mediterranena Lifestyle”, ku reklamohet Shqipëria, veçanërisht kulinaria shqiptare.

Krahas faqeve të revistës, Rama shkruan se 18.820 turistë spanjollë e kanë vizituar Shqipërinë nga janari e deri në korrik të këtij viti, nga 4.228 që e kanë vizuar vjet në të njëjtën periudhë. 

“18.820 turistë spanjollë e kanë vizituar Shqipërinë nga janari deri në korrik të këtij viti, përkundër 4.228 vizitorëve të së njëjtës periudhë vitin që shkoi. Edhe mediat e një gjigandi të turizmit si Spanja i japin zë bukurive e traditave të Shqipërisë, ku kulinaria jonë përshkruhet si një kombinim fantastik i kuzhinës mesdhetare dhe asaj ballkanike, mes shijeve e aromave të peshkut, erëzave e vajit të ullirit, në faqet e revistës spanjolle ‘The Mediterranean Lifestyle’.”– shkroi Rama.

Rama javët e fundit është përpjekur të theksojë vazhdimisht arritjet në sektorin e Turizmit, pas ngjarjes së rëndë në Himarë ku humbi jetën një vajzë 7-vjeçare. Ai madje e ka cilësuar këtë sezon si “më të sigurtin si asnjëherë”, deri ditën e dy gushtit kur ndodhi ngjarja e Himarës.

Kryeministri ka thënë se Shqipëria ka shënuar rritjen më të lartë të turizmit në të gjithë zonën e Mesdheut, duke zënë vendin e dytë pas Antalias.

Të dhënat e INSTAT thonë se në 6 muajt e para të këtij në Shqipëri kanë hyrë rreth 2.55 milionë qytetarë, shtetas shqiptarë ose të huaj, një rritje shumë e madhe krahasuar me një vit më parë.