Vendosni fjalën kyçe....

Fluksi në Kakavijë/ Meta thirrje qeverisë: Vendosni kontakte me palën greke, shqiptarët meritojnë dinjitet


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në lidhje radhët e gjata të emigrantëve që presin të vijnë në Shqipëri në pikën kufitare të Kakavijës.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta i bën thirrje qeverisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme që të vendosin kontakte me palën greke për të garantuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

”ÇDO QYTETAR SHQIPTAR MERITON TË TRAJTOHET ME DINJITET, JO SI NJERI PA SHTET DHE PA ATDHE! 🇦🇱
I bëj thirrje urgjente Qeverisë dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, të vendosin menjëherë kontaktet me palën greke, për të marrë të gjitha masat efektive për lehtësimin dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat e kalimit kufitar.
Rikthimi i radhëve kilometrike në Kakavijë është i papranueshëm!
U kërkoj autoriteteve përgjegjëse shtetërore të ndërpresim menjëherë pushimet, të ngrihen në këmbë dhe të marrin çdo masë të duhur dhe të mundshme për të mos përsëritur kurrë më krizat humanitare në Kakavijë, ku mijëra emigrantë e shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshuar u lanë të braktisur dhe në kushte tejet të vështira, por minimalisht t’i informojnë në kohë qytetarët dhe me transparencë për çdo vonesë.”– tha Meta.

Po ashtu ish-presidenti bëri një thirrje edhe për autoritetet greke që të bëjnë gjithçka për të shmangur situatat e papranueshme.

“I inkurajoj gjithashtu autoritetet greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të ngushta tradicionale, të bëjnë gjithçka për të shmangur situata të papranueshme dhe kriza humanitare në pikat e kalimit kufitar, imazhet e të cilave i turpërojnë të dyja vendet tona.”-tha Meta.