Aktorja 53-vjeçare Anne Heçhe nuk e rifitoi kurrë vetëdijen pas aksidentit me makinë që pati më 5 gusht, por ka ndërruar jetë një javë më pas.
Lajmi u konfirmua nga një përfaqësues i familjes së saj për median online amerikane TMZ, e cila tha në një deklaratë: “Kemi humbur një dritë të ndritshme, një shpirt të sjellshëm dhe shumë të gëzuar, një nënë të dashur dhe një mike besnike.”
“Ana do të na mungojë shumë, por ajo jeton përmes djemve të saj të bukur, punës së saj ikonike dhe avokatisë së saj të pasionuar. Trimëria e saj për t’i qëndruar gjithmonë të vërtetës, duke përhapur mesazhin e saj të dashurisë dhe pranimit, do të vazhdojë të ketë një ndikim të qëndrueshëm.”
Të premten pasdite përfaqësuesit e aktores 53-vjeçare konfirmuan se asaj i kishte “vdekur truri“, që sipas ligjit të Kalifornisë është përkufizimi i vdekjes. Më herët gjatë ditës u njoftua që 53-vjeçares do t’i hiqej mbështetja e jetës. Kuptohet se rrahjet e saj të zemrës po ruheshin në rast se mund të bëhej një dhurim organesh.
Të premten në mbrëmje, djali i madh i aktores, Homeri, 20 vjeç, nxori një deklaratë në emër të tij dhe të gjysmëvëllait të tij, Atlas, 13 vjeç.
“Vëllai im Atlas dhe unë humbëm nënën tonë.“- i tha ai revistës People. “Pas gjashtë ditësh të lëkundjeve emocionale pothuajse të pabesueshme, unë kam mbetur me një trishtim të thellë dhe pa fjalë. Shpresoj që nëna ime të jetë e lirë nga dhimbja dhe të fillojë të eksplorojë atë që më pëlqen të imagjinoj si lirinë e saj të përjetshme.”
Ai shtoi se gjatë këtyre gjashtë ditëve, ka marrë një mbështetje të madhe nga miqtë, familjarët dhe fansagt e nënës. Por mbi të gjitha falenderoi babanë dhe njerkun e tij.
“Pusho në paqe mami, të dua.”- e përfundoi Homer Heche mesazhin e tij.
Shumë kishin shpresuar se Heche do të shërohej pasi një publicist i saj pati raportuar se 53-vjeçarja ishte në një gjendje “të qëndrueshme”.
Aktorja përplasi makinën e saj me një shtëpi në Los Anxhelos më 5 gusht. Zjarrfikësit thanë se ajo po fliste me ta ndërsa u çlirua nga rrënojat dhe u dërgua në spital.
Por pak kohë më pas aktorja humbi vetëdijen dhe më 8 gusht përfaqësuesit e saj thanë se ajo ishte në një “gjendje ekstreme kritike” dhe kishte rënë në koma. Të premten, familja e saj tha në një deklaratë se ajo nuk pritej të mbijetonte dhe se ajo po mbahej në jetë për të përcaktuar nëse organet e saj mund të dhuroheshin apo jo.