Vendosni fjalën kyçe....

Paratë e kokainës i investonte në biznesin e makinave luksoze “Porche” e “Maserati”, bosi shqiptar i drogës bie në pranga


Një shqiptar i arrestuar, gati 700 gramë drogë dhe 300 mijë euro të sekuestruara. Ky është bilanci i një operacioni kompleks antidrogë të njësisë hetimore të karabinierëve të Vicenzës.

Siç bëjnë me dije mediet italiane, gjithçka filloi pas zbulimit të një sasie droge në korrik të vitit 2021 nga karabinierët e Bassanos. Hetimet, të kryera si me metoda klasike, ashtu edhe me ndihmën e veprimtarisë teknike, i çuan hetuesit te 35-vjeçari shqiptar Anton Likmeta, tashmë i njohur për policinë.

Ai mendohet se ka qenë shefi i rrjetit të kokainës. Sipas hetimit, falë mbështetjes logjistike dhe ndihmës së partneres së tij, një 37-vjeçare rumune, Likmeta kishte menaxhuar prej disa kohësh një trafik të lulëzuar kokaine që preku, në fakt, të gjithë Triveneto-n me një vëllim biznesi që vlerësohet se ishte rreth qindra mijëra euro.

Në vazhdën e hetimeve, policia arriti të përcaktonte edhe rrugën e ndjekur nga shumat e mëdha të parave, rezultat i veprimtarisë së trafikut të drogës.

Mësohet se kjo shumë e madhe eurosh, transportohej drejt Rumanisë nga partnerja, më pas nëpërmjet njerëzve të besuar futeshin në institucionet bankare rumune, për të penguar identifikimin e origjinës së paligjshme të parave.

Vetëm pas kësaj manovre komplekse, 35-vjeçari i cili ishte pronar i një sipërmarrjeje individuale për tregtimin e makinave luksoze (Porche, Maserati…), ripërdorte paratë e “pastra” në Itali për të financuar aktivitetet e tij sipërmarrëse.

Në fazën operacionale, tregtimi i paligjshëm i kokainës dhe vetë-pastrimi i të ardhurave të paligjshme u ndërpre prillin e kaluar, kur karabinierët gjetën dhe ndaluan çiftin në një makinë luksoze me fuqi të lartë. Gjatë kontrollit, i cili u shtri edhe në banesë, ushtarakët gjetën dhe sekuestruan rreth 670 gramë kokainë, 15 gramë hashash dhe 43 200 euro cash. Më pas Likmeta u arrestua në flagrancë dhe ndaj pasurisë së çiftit u vendos edhe sekuestro preventive.

Qershorin e kaluar, karabinierët e grupit hetimor kanë kryer masën duke përgjuar dhe sekuestruar shumën shtesë prej 255 mijë eurosh në llogarinë rrjedhëse në emër të gruas së sapo kishte ardhur nga Rumania.