Edhe pse dyshohet se vrau një njeri, Neno Kaluderoviç po mbahet si hero në Mal të Zi. Kjo pasi duke vrarë 34-vjeçarin Vuk Boriloviç që i mori jetën 10 personave, mes të cilëve dy fëmijë, pengoi një përshkallëzim të masakrës e cila mund të kishte vijuar të merrte jetë të tjera.
Ndërsa policia nuk mundi ta arrestonte atë, Boriloviç u vra nga bashkëqytetari Neno Kaluderoviç, të cilin shumë malazezë po e konsiderojnë “hero”.
Në rrjetet sociale është publikuar edhe një foto e njeriut që dyshohet se ka vrarë Boriloviçin. “Njeriu që pastroi rrugët e Cetinjës nga demonët! Hero, hero! Ju shpëtuat disa jetë sot! Ajo rrugë duhet të mbajë emrin tënd! Burgu nuk është për ty sepse nuk ke shkelur ligjin, ke mbrojtur veten, ke shpëtuar një numër të madh të fqinjëve, kumbarëve, miqve. Neno, i gjithë Mali i Zi është me ty në këto momente të vështira!”- thuhet në mesazhin e qytetarëve, sipas Vecernji.hr.
Bashkëqytetarë të shumtë po bëjnë thirrje që ai të mbrohet në gjykatë.
“Çfarëdo që mendoni për armët, mbani mend se një njeri të armatosur me qëllime të këqija mund ta ndalojë vetëm një njeri i armatosur me qëllime të mira.”- kanë shkruar përdoruesit në Facebook. Ende nuk dihet motivi i sulmit të tmerrshëm në Cetinje, por shumë media po publikojnë rrëfimet e dëshmitarëve. Mediat raportojnë se çdo gjëje i ka paraprirë një sherr mes Boriloviçit dhe familjes që jetonte në shtëpinë e tij si qiramarrës. Dyshohet se familja është vonuar në pagesën e qirasë. Megjithatë ende nuk ka detaje zyrtare mbi motivet nga Policia.