Vendosni fjalën kyçe....

Po hapte tunel për të vjedhur një bankë por u bllokua nëntokë, shpëtohet nga zjarrfikësit 34-vjeçari në Romë


Zjarrfikësit në Itali kanë shpëtuar një burrë që mbeti i ngecur nën tokë në qendër të Romës ndërsa gërmonte një tunel.

Kështu njoftoi të premten në një deklaratë Brigada e Zjarrfikësve të kryeqytetit italian. Mediat thotë se burri ishte pjesë e një bande që kërkonte të grabiste një bankë aty pranë dhe prandaj ai kishte qenë duke hapur tunel.

“Pas tetë orësh punë, forcat zjarrfikëse nxorrën, ende gjallë, njeriun që mbeti i bllokuar për shkak të një shembjeje që ndodhi gjatë ekzekutimit të një gërmimi nëntokësor në Via Innocenzo XI. Shkaqet janë duke u hetuar.”- thuhet në njoftimin e Brigadës së Zjarrfikëses.

Operacioni i shpëtimit tërhoqi vëmendjen e vendasve dhe turistëve, pasi u zhvillua jo shumë larg Vatikanit. Videot në rrjetet sociale tregojnë momentin kur zjarrfikësit më në fund e nxorrën burrin 34 vjeçar nga nëntoka. Pasi u shpëtua Andrea Grassi, është shtruar në spitalin San Camillo në gjendje të rëndë, por jeta e tij nuk është në rrezik.

Raportet e mediave sugjerojnë se i shpëtuari ishte pjesë e një bande që planifikonte të përfitonte nga periudha e qetë e pushimeve verore duke gërmuar një tunel nga ambientet e marra me qira në qendër të qytetit deri në kasafortën e njërës prej bankave aty pranë, me synimin për ta grabitur në mes të gushtit.

Megjithatë, plani i tyre dështoi kur gjatë gërmimit, një copë asfalti ra dhe e bllokoi Grassin në një thellësi rreth 6-7 metra, duke mos i lënë atij zgjidhje tjetër veçse të bërtiste: “Ndihmë, ju lutem më çlironi”.

Bashkëpunëtorët e tij arritën të dilnin nga tuneli, por fati i tyre përfundoi aty, pasi u ndaluan nga policia. Dy të dyshuarit nga Napoli u arrestuan për rezistencë ndaj një zyrtari publik dhe dy nga Roma, për dëmtim të pronës publike.

Hetimi për rastin e asaj që mediat italiane e quajnë ‘banda e tunelit’ është në vijim.

Të pesë burrat kanë dënime të mëparshme për grabitje, tha një përfaqësues i zbatimit të ligjit për mediat lokale. Asnjë prej tyre deri më tani nuk e ka pranuar fajin në lidhje me ngjarjen.

Prindërit e Grassit dolën në mbrojtje të tij, duke kërkuar që djali i tyre të mos quhet më “hajduti me fat”. Ata thanë për mediat: “Ai punon për 50 euro në ditë. Ata i thanë të gërmonte dhe ai e bëri.”