Vuk Boriloviç nga Cetinja dje ka vrarë dhjetë bashkëqytetarë të tij dhe ka plagosur gjashtë në qendër të Prijestonicës.
Autoritetet thonë se ende po përpiqen të përcaktojnë shkaqet se pse 34-vjeçari vendosi të kryejë atë “akt të urryer” dhe bëjnë thirrje për solidaritet me familjet e viktimave. Edhe trupi i pajetë i sulmuesit është dërguar për autopsi dhe nga informacionet fillestare bëhet me dije se ai është vrarë nga një bashkëqytetar me inicialet N.K. ndërsa ishte i rrethuar nga policia.
Gjatë dramës së përgjakshme në të cilën vrau edhe dy fëmijë të mitur, Boriloviçi qëlloi rastësisht me pushkë gjuetie fqinjët, ekipin mjekësor të urgjencës, pjesëtarët e policisë dhe kalimtarët.
Sipas autoriteteve, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë sulmuesi është qëlluar për vdekje nga shtetasi N.K., i cili po përpiqej të ndalonte masakrën e mëtejshme.
Boriloviç refuzonte të dorëzohej tek autoritetet, edhe pse ishte i rrethuar.
Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë dhe Prokuroria e Lartë e Shtetit kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, duke thënë se detajet se si ka ndodhur tragjedia e madhe dhe si është vrarë Boriloviq, do t’i shpallin sapo t’i vërtetojnë faktet.
Çfarë ndodhi?
Siç shkruan Vijesti duke iu referuar të dhënave zyrtare, Boriloviç hyri në banesën e qiramarrësve të tij rreth orës 15:30 dhe vrau djalin 11-vjeçar në derë, pastaj vëllanë e tij tre vjet më të vogël, dhe më pas qëlloi nënën e tyre – Natasha Pajović Martinovic.
Pasi i ka vrarë, ka telefonuar babanë e djemve dhe bashkëshortin e Natashës, Millosh Martinoviçin dhe i ka thënë: “Unë e kam vrarë familjen tënde dhe timen”.
Në 45 minutat e ardhshme, në një distancë totale prej 80 metrash nga shtëpia e tij, ai nisi të qëllonte me armë duke vrarë shtatë persona të tjerë dhe duke plagosur gjashtë.
Autoritetet shpjeguan se pas vrasjes së Martinoviçit, ai hyri në shtëpinë e fqinjit ku vrau bashkëqytetarët e moshuar Danijela dhe Dimitrije Drecun dhe plagosi rëndë nipin e tyre Aleksandar Drecun (32-vjeç). Në prag të asaj shtëpie ka vrarë edhe djalin e tyre Rajko Drecun (56 – vjeç), i cili ka vrapuar drejt shtëpisë kur ka dëgjuar të shtënat.
Boriloviç vrau edhe fqinjin e tij Milan Mitroviç (37-vjeç) dhe më pas dajën e tij Goran Gjurishiç (54-vjeç), e më pas duke zbritur në rrugë vrau edhe fqinjët e tjerë, motrat Aleksandra (52-vjeçe) dhe Mila Radunoviq (51-vjeçe).
Vijesti vazhdon të shkruajë se Boriloviç u kthye në drejtim të shtëpisë së fqinjit të tij me inicialet I.J. dhe e ftoi të dilte jashtë.
Ai plagosi edhe katër fqinjë të tjerë: Sllavica Zvicer, Filip Gjurkoviç, Mileva Ramadanoviç dhe Darinka Çelebiç, si dhe policin Ljubisha Maksimoviç, i cili po përpiqej ta ndalonte. Qendra Klinike e Malit të Zi bëri të ditur mbrëmë se tre nga të plagosurit janë operuar dhe se janë vendosur në Repartin e Mjekimit Intensiv.
Autoritetet ende nuk i kanë zbuluar motivet që e shtynë Boriloviçin të kryente aktin brutal.