Vendosni fjalën kyçe....

Balliu akuza Veliajt: Grabiti 50 milionë euro me taksën e arsimit, inceneratorët s’ekzistojnë


Sekretari i Organizimit në PD, Klevis Balliu, akuzoi kryebashkiakun e Tiranës,

Veliaj se u ka grabitur qytetarëve 50 milionë euro me taksën e infrastrukturës arsimore përgjatë shtatë viteve.

Në një intervistë për Syri Tv, ai tha se opozita është në krah të shqiptarëve dhe në aksion për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Po kështu ai tha se inceneratorët nuk ekzistojnë edhe pse për to janë paguar e paguhen shuma të mëdha nga buxheti.

“Veliaj është i zënë duke vjedhur qytetarët. Prej 7 vitesh qytetarët e Tiranës paguajnë taksën e infrastrukturës arsimore e cila në parim duhet të shërbente për ndërtimin e disa shkollave.

Janë mbledhur 50 mln euro nga kjo taksë në 7 vite, me 50 milionë euro mund të bëheshin të paktën 50 shkolla, të paktën, e marrim 1 mln euro një shkollë. Llogarisni që 14 mln euro qytetarët i paguajnë koncesionarit të PPP-së që ka vendosur Veliaj në këtë taksim të shpikur prej tij. S’kanë pse ta paguajnë, është detyrim i bashkisë t’i japë drejtim arsimit. E gjeti këtë taksë si një mjet për të vjedhur. Nuk ekzistojnë inceneratorët. Veliaj që thotë do djegim plehrat, plehrat janë nëpër rrugë. Në njësinë 7 janë në mes të rrugës kryesore. Në çdo lagje, koshat janë të papastruar se s’kanë ku i çojnë, s’ka inceneratorë, ndërkohë qytetarët paguajnë 80 mijë euro në ditë për inceneratorët. Paguhet për shërbime që nuk jepen.” – tha Balliu.