Vendosni fjalën kyçe....

Detaje të reja dalin nga plagosja në Kuçovë, dyshohet se ngjarja ndodhur për shkak të konfliktit të çastit, policia sekuestroi kamerat e sigurisë


Detaje të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e mbrëmjes së 13 gushtit në lagjen “1 Maji” në Kuçovë, ku mbeti i plagosur 46-vjeçari Admir Bejo.

Burimet policore bëjnë me dije se nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë së bizneseve dhe banesave që ndodheshin në rrugën kryesore të lagjes “1 Maji”, është bërë e mundur zbulimi i kronologjisë së plagosjes.

Mësohet se plagosja e Bejos nuk ka lidhje me larje hesapesh për ngjarjen e ndodhur në vitin 2007, kur ai dhe vëllai i tij Ilija Bejo plagosën me armë duke dalë nga hyrja e pallatit dy vëllezërit Kundja.

Plagosja e djeshme ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit të Admir Bejos me një banor tjetër të lagjes “1 Maji”, që banonte shumë pranë banesës së tij, pikërisht 200 metër nga vendi ku Bejo u gjet i shtrirë në rrugë.

Burimet policore konfirmojnë se konflikti mes Bejos dhe autorit ka ndodhur në banesës e këtij të fundit, ku pasi kanë debatuar me njëri-tjetrin komshiu i tij ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar 2 herë mbi 46-vjeçarin Admir Bejo.

Bejo ka bredhur me vrap për të dalë nga banesa e autorit dhe në dalje është qëlluar edhe dy herë të tjera po plumbat nuk e kanë zënë.

Pasi ka ecur disa metra Bejo ka rënë në tokë, ku edhe është gjetur i shtrirë nga një kalimtar që ka njoftuar policinë.

Burimet policore bëjnë me dije se është identifikuar autori i plagosjes, shtetasi me inicialet E.R., 36 vjeç dhe po punohet për kapjen e tij, ndërkohë që emri i autorit nuk bëhet ende publik.

Policia konfirmon se nga këqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur 4 fishekë, të kalibrit 7.62 mm. Burime nga lagjja “1 Maji” ku ishte edhe zona ku kishte lindur i plagosuri konfirmojnë se Admir Bejo ishte përdorues i rregullt i lëndëve të forta narkotike dhe për këtë arsye mashtronte e u merrte lekë borxh njerëzve që njihte.

Sipas banorëve të lagjes, Bejo kishte degraduar dhe konfliktohet me këdo që i dilte para, edhe pa asnjë shkak.