Policia ka arrestuar tre të rinj në Elbasan të cilët në bashkëpunim me njëri tjetrin dyshohet se kanë dhunuar dhe kanosur një të ri tjetër banues në Belsh.
Ata dyshohet se i kanë marrë atij shumën prej 2 mijë eurosh pasi ai kishte postuar në rrjetet sociale automjetin e shtetasit D.R i ndaluar nga policia.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. R., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 74 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 2 peshore elektronike, 1 radio marrëse-dhënëse dhe 2 automjete.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit se 3 shtetas kishin kanosur dhe dhunuar një shtetas dhe i kishin marrë atij, një shumë parash, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve.
Në kuadër të operacionit “Postimi”, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
D.R., 23 vjeç, E. B.(S), 25 vjeç dhe F. Ç., 26 vjeç, të tre banues në Elbasan.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar dhe kanosur me jetë shtetasin A. A., 20 vjeç, banues në Belsh dhe i kanë marrë atij shumën 2000 euro, pasi ai kishte postuar në rrjetin social instagram, automjetin e shtetasit D. R.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. R., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 74 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 2 peshore elektronike, 1 radio marrëse-dhënëse dhe 2 automjete.
Në vijim të veprimeve janë referuar materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit: A. K., 43 vjeç, A. H., 51 vjeç, A. B., 29 vjeç, të tre banues në Elbasan, pasi kanë patur dijeni për ngjarjen dhe nuk kanë kallëzuar në Polici.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.