Vendosni fjalën kyçe....

Instagram e Facebook mbikëqyrin sjelljet e përdoruesve pa pëlqimin e tyre – Ish-inxhinieri i Google


Aplikacionet e Instagram dhe Facebook gjurmojnë se çfarë bëjnë njerëzit kur shfletojnë faqet e internetit të palëve të treta pa pëlqimin e tyre, ka paralajmëruar studiuesi i privatësisë Felix Krause.

Krause, një ish-inxhinier i Google, shkroi në një postim në blog të mërkurën se aplikacioni iOS injekton kode në çdo faqe interneti të shfaqur dhe përdor ‘një shfletues të personalizuar brenda aplikacionit’ në vend të Safari-t të integruar për të mbikëqyrur veprimtarinë e përdoruesve.

Aplikacioni e bën këtë ‘pa pëlqimin e përdoruesit, as ofruesit të faqes së internetit’, shkroi Krause.

Studiuesi tha se ai nuk mund të përcaktojë të dhënat e sakta që Instagram po ndjek, por theksoi se shfletues të tillë brenda aplikacionit lejojnë të gjurmohet gjithçka që një përdorues bën në një faqe interneti. Ai shtoi se shfletues të tillë mund të shfrytëzohen për të vjedhur të dhëna të ndjeshme, siç janë adresat e shtëpisë.

Në një deklaratë për The Guardian të enjten, kompania mëmë e Instagramit, Meta tha se injektimi i një kodi gjurmimi ishte në përputhje me preferencat e përdoruesve nëse i lejonin apo jo aplikacionet t’i ndiqnin ato.