Vendosni fjalën kyçe....

Nuk i ndaloi policisë në Fier, 32-vjeçari u ndalua i dehur në Tiranë, tentoi të korruptojë policët


Një 32-vjeçar është ndaluar nga policia në Tiranë pasi ishte shpallur në kërkim nga policia e Fierit për mos ndalim në pikat e kontrollit.

32-vjeçari P.S u ndalua në rrugën “Mustafa Matohiti” ku pas testit të alkoolit rezultoi në gjendje të dehur.

32-vjeçari tentoi të korruptonte efektivët e policisë duke iu ofruar një shumë parash si dhe i ka kundërshuar ata.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, gjatë kontrolleve parandaluese për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në kryqëzimin e rrugës “Mustafa Matohiti” me Rrugën e Elbasanit, mbrëmjen e djeshme, kanë ndaluar automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin P. S., 32 vjeç.  Gjatë verifikimit të dokumenteve, ka rezultuar se mjeti që drejtonte shtetasi P. S. ishte shpallur në kërkim nga DVP Fier, pasi nuk i ka ndaluar shërbimeve të Policisë, në pikat e kontrollit.

Pas kryerjes së testit të alkoolit, shtetasi P. S. ka rezultuar se drejtonte automjetin, në gjendje të dehur, dhe me qëllim shmangien e procedurave ligjore dhe shoqërimin në komisariat, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe ka tentuar t’i korruptojë, duke iu ofruar një shumë parash.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. S., për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia e Tiranës.