Një person u vra dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në orët e para të së shtunës kur erërat e forta rrëzuan skenën në një festival muzikor në rajonin e Valencias të Spanjës.
Sipas qendrës lokale të Bashkërendimit të Emergjencave, tragjedia në Festivalin Medusa në qytetin e Cullera ka ndodhur në orën 4:18 të mëngjesit.
Ndërsa fillimisht 17 persona ishin raportuar si të lënduar, Ministria e Shëndetësisë më vonë konfirmoi se 40 kishin pësuar lëndime të shkallëve të ndryshme. Sipas deklaratës së ministrisë, të cituar nga mediat spanjolle, disa prej të shtruarve në spital me lëndime tashmë janë nxjerrë.
Organizatorët e festivalit, i cili supozohej të kishte gjithsej 320,000 pjesëmarrës gjatë tre ditëve nga e premtja deri të dielën, thanë se ata janë ‘plotësisht të shkatërruar dhe të tronditur nga ajo që ndodhi këtë mëngjes’.
Përgjegjësit e ngjarjes dhanë disa hollësi të ngjarjes fatale, duke thënë se rreth orës 04:00 ‘një stuhi e papritur dhe e dhunshme shkatërroi disa zona të festivalit, duke detyruar punonjësit të marrin vendimin e menjëhershëm për të liruar zonën e koncertit për të garantuar sigurinë e të pranishmëve, punëtorëve dhe artistëve që u mblodhën në Festivalin Medusa’.
Videot në rrjetet sociale tregojnë momentin kur strukturat e lokalit, përfshirë skenën kryesore, ranë mbi njerëzit në rreshtat e parë. Personi i vetëm që humbi jetën sipas El Pais, është një 22-vjeçar i cili u godit nga një pjesë e skenës.