Vendosni fjalën kyçe....

Tonelata me peshq të ngordhur në lumë, Polonia e Gjermania përballen me katastrofën e rëndë mjedisore (Video)


Autoritetet në Poloni dhe Gjermani po përpiqen të përcaktojnë shkakun e një fatkeqësie të madhe mjedisore në lumin e dytë më të madh të Polonisë, i cili gjithashtu rrjedh nëpër Republikën Çeke dhe Gjermaninë lindore.

Tonelata me peshq të ngordhur janë parë duke notuar ose hedhur në breg në brigjet e lumit Oder gjatë dy javëve të fundit. Fotot dhe videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë sipërfaqen e lumit të mbuluar nga kufomat e peshqve, ndërsa mbi ujë shihen edhe kastorë të ngordhur.

Transmetuesi gjerman Rbb24 raportoi të shtunën se fatkeqësia kishte arritur në lagunën Szczecin në grykën e Oderit që derdhet në Detin Baltik. Qindra vullnetarë si dhe rreth 300 specialistë gjermanë të shërbimit të urgjencës kanë mbledhur kafshë të ngordhura në Oder në një zonë që shtrihet rreth 80 kilometra.

Të premten, kryeministri polak Mateusz Morawiecki deklaroi se ‘sasi të mëdha mbetjesh kimike ndoshta janë hedhur në lumin Oder me vetëdije të plotë për rreziqet dhe pasojat’. Ai u zotua gjithashtu se do të çojë para drejtësisë autorët.

“Ne nuk do ta lëmë këtë çështje të shkojë. Nuk do të pushojmë derisa fajtorët të dënohen rëndë.” – tha ai në një video të publikuar në Facebook.

Të shtunën, Polonia ofroi një shpërblim prej një milion zloty (220,200 dollarë) për çdo informacion në lidhje me përgjegjësit për atë që u përshkrua nga disa ambientalistë si fatkeqësia më e madhe e vendit në vite.

Shkaku i ndotjes mbetet i panjohur. Të premten, Rbb24 raportoi, duke cituar Laboratorin Shtetëror të Brandenburgut, se nivele jashtëzakonisht të larta të merkurit ishin zbuluar në mostrat e ujit të marra nga lumi. Sasia e substancës shumë toksike në lumë thuhet se ishte aq e lartë sa pajisjet e testimit nuk mund të shfaqnin siç duhet rezultatet e testimit dhe testi duhej të përsëritej.

Megjithatë, të shtunën ministrja polake e Mjedisit Anna Moskwa përjashtoi një nivel të rritur të merkurit si shkakun e vdekjeve masive të peshqve në Oder.

“Instituti Shtetëror Veterinar testoi shtatë lloje. Ai përjashtoi merkurin si një shkak të vdekjes së peshqve.” – shkroi ajo në Twitter. Autoritetet polake deklaruan se shkaku mund të jetë përqendrimi i lartë i kripës në ujë.

Ministri i Mjedisit i shtetit të Brandenburgut në Gjermaninë lindore, Axel Vogel, tha gjithashtu se sasitë e mëdha të kripës së tretur mund të kenë vrarë peshqit. Kjo është ‘absolutisht e pazakontë’, tha ai për Rbb24.

Ndërkohë, Berlini fajësoi Varshavën se nuk ndau në kohë informacionin me Gjermaninë për katastrofën. Autoritetet gjermane u informuan shumë vonë, tha ministrja Federale e Mjedisit, Steffi Lemke. Vogel tha gjithashtu për Rbb24 se ai nuk kishte marrë asnjë informacion zyrtar nga Polonia në lidhje me mbetjet kimike që mund të ishin hedhur në lumë.

Moraëiecki u tha gazetarëve të shtunën se ai vetë mësoi për katastrofën ‘shumë vonë’ dhe shkarkoi dy nëpunës civilë të lartë përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e ujit.

Sipas Rbb24, ka disa ‘të dhëna’ se disa substanca toksike u hodhën në Oder pranë qytetit të Wroclaw në Poloninë jugore në fund të korrikut. Megjithatë, është e paqartë se çfarë saktësisht ka mbërritur në lumë apo kush mund të jenë autorët.

Incidenti vjen pasi Evropa përballet me një rrymë masive dhe valë të nxehti, të cilat kanë bërë që nivelet e ujit në shumë lumenj të mëdhenj në kontinent të bien. Disa media kanë raportuar se ky fakt mund të ketë ndikuar edhe në fatkeqësi.