Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina po shtyp kartëmonedha për të paguar ushtarët – WSJ


Me ndihmën financiare perëndimore që duket se arrin ngadalë, Ukraina është detyruar të shtypë para për të paguar trupat e saj në luftën kundër Rusisë, raportoi të premten Wall Street Journal.

Ministri ukrainas i Financave Sergey Marchenko i tha gazetës amerikane se është ‘një dhimbje koke e vijueshme’ për të që të vazhdojë të ekuilibrojë koston e konfliktit dhe të ardhurat më të ulëta nga taksat në një ekonomi të goditur nga luftimet prej rreth gjashtë muajsh.

Me rreth 60% të buxhetit të shpenzuar për luftime, ministri tha se i është dashur të shkurtojë të gjitha shpenzimet e panevojshme. Por ende nuk është e mjaftueshme, pasi të ardhurat nga taksat mbulojnë vetëm 40% të shpenzimeve qeveritare, raporton WSJ.

Autoritetet e Kievit më herët thanë se u duheshin 5 miliardë dollarë në muaj për të drejtuar vendin dhe nuk do të ishin në gjendje të përballonin pa ndihmën e Perëndimit. Megjithatë, grantet dhe huatë e premtuara për Ukrainën nga mbështetësit e saj të huaj kanë ardhur më ngadalë se sa pritej, sipas revistës.

Për shembull, BE-ja ka dhënë deri më tani vetëm 1 miliardë euro nga 9 miliardë euro që i ka premtuar Kievit, me Gjermaninë që i kundërshton idesë për të ofruar kredi me interes të ulët të mbështetur nga garancitë nga shtetet anëtare të bllokut.

Sipas Marchenkos, shumë nga koha e tij në punë ka të bëjë me përpjekjet për të bindur qeveritë perëndimore që të veprojnë më shpejt.

“Pa këto para, lufta do të zgjasë më shumë dhe do të dëmtojë më shumë ekonomitë.” – shpjegoi ai.

Rostislav Shurma, një këshilltar ekonomik i Presidentit Vladimir Zelensky, e përshkroi situatën në terma më të ashpër.

Nëse Kievi do vepronte aq ngadalë sa Perëndimi, ‘rusët do ishin në kufirin polak deri tani’ tha ai për WSJ.

“Ata nuk e ndiejnë luftën. Ky eshte problemi. E vetmja gjë që ata ndjejnë në BE janë çmimet e larta.” – tha Shurma.

Për shkak të mungesës së fondeve, Banka Qendrore e Ukrainës nuk ka zgjidhje tjetër veçse të shtypë më shumë para për të lejuar qeverinë të paguajë trupat dhe të blejë armë dhe municione në mënyrë që të vazhdojë të luftojë.

Kjo qasje ka dobësuar monedhën kombëtare të Ukrainës, hryvnia, e cila tashmë ka humbur 30% që nga fillimi i operacionit ushtarak rus në Ukrainë, duke shkaktuar një rritje të madhe të inflacionit.