Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama fali 1.5 milionë metra katrorë truall në Durrës, për të ndërtuar “Dubai City-n, Rama-Emar”


Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për mediet për të denoncuar një tjetër aferë sicc e quan ai projektin e Portit të Durrësit.

“Ligji i parë i çdo hajduti është se ai kërkon të vjedhë sa më shumë.

Rasti më tipik është Edi Rama, i cili pasi është kapur në flagrancë me vjedhjen e 420 mln euro për djegësat, gjithçka me firmën e tij, vrapon të vendosë harresë këtë vjedhje, me dy megaafera të mëdha, që janë 10fishi i kësaj shume; ajo e Butrinti dhe Portit të Durrësit.

Jam këtu për të denoncuar për të shumtën herë, aferën mafioze, korruptive të Ramës me portin më kryesor, shekullor e mijëvjeçar, portin e Durrësit.

Kjo aferë vjen në dhunim me të gjitha ligjet e vendit. Rama deklaron se i ka dhënë një kompanie territorin prej 1.5 mln metra katrorë të ndërtimit aty të Dubai-city, të Dubait-Emar-Rama, ose Rama-Emar.

Dhënia pa garë është dhunim i ligjeve të vendit, por edhe atyre ndërkombëtare që Shqipëria është e detyruar t’i respektojë.”– tha Berisha.

Më pas ai shtoi se Rama dhe bashkëpunëtorët e tij “duan të fshehin paratë në parajsa fiskale.”

Ish-kryeministri shtoi se Porti i Durrësit është Port i NATO-s dhe BE-së, dhe nuk mund të ndryshojë destinacion pa miratimin e këtyre të fundit.

 “Përveç kësaj, Porti i Durrësit është port i një vendi të NATO-s dhe BE-së, porti i një rëndësie strategjike.

Ndryshimet e destinacionit të të cilit nuk mund të bëhen pa një miratim të NATO-s dhe BE-së.

Por Rama nuk njeh normë, kufi.

Ai tani ëndërron veten multimiliarder dhe gjithçka bazuar në vjedhjen e pasurive publike të shqiptarëve.”- tha ai.