Vendosni fjalën kyçe....

Berlini do fikë dritat e qytetit për të kursyer energji


Berlini ka ndaluar ndriçimin e rreth 100 ndërtesave publike dhe monumenteve historike që nga fundi i korrikut për të kursyer energji, tha të hënën administrata mjedisore e qytetit.

Autoritetet thonë se në total, 150 ndërtesa së shpejti nuk do ndriçohen më gjatë natës, pas raportimeve të mëparshme se ndriçimi për rreth 200 ndërtesa do fiket. Administrata mjedisore shtoi se procesi i pakësimit të përdorimit të energjisë do përfundojë deri në fund të gushtit.

Duke qenë se ndërtesat në fjalë nuk janë të lidhura me një sistem të vetëm, për të fikur dritat, inxhinierët dhe profesionistët e mirëmbajtjes duhet të trajtojnë ndërtesat një nga një, thuhet në deklaratë.

Autoritetet synojnë të mbajnë disa monumente të ndriçuara, duke përfshirë Muzeun Hebre, Sinagogën e Re dhe Memorialin e Luftës Sovjetike në Tiergarten. Vendimi u mor pas këshillimeve me Ministrinë e Brendshme të Berlinit, thanë ata.

Sipas administratës mjedisore të qytetit, 150 ndërtesat, të cilat përfshijnë Kolonën e Fitores, Katedralen e Berlinit, Kishën Përkujtimore Kaiser Wilhelm, Pallatin Charlottenburg dhe Operan Shtetërore, konsumojnë rreth 150,000 deri në 200,000 kilovat orë në vit, që kushton 40,000 euro.

Në fillim të korrikut, kryebashkiakja e Berlinit Franziska Giffey mbështeti idenë e mosndriçimit të monumenteve si porta ikonë e Brandenburgut për të kursyer energji, ndërsa autoritetet gjithashtu menduan të fiknin disa nga dritat e rrugëve në një mënyrë që nuk do rrezikonte sigurinë publike.

“Në gjendjen në të cilën ndodhemi, duhet të shqyrtojmë të gjitha mundësitë për kursimin e energjisë.” – tha ajo në atë kohë.

Gjermania, si shumë vende të tjera të BE-së, është goditur nga një krizë energjie për shkak të rritjes së çmimeve globale. Për të zbutur krizën, në fillim të gushtit, Këshilli Evropian miratoi një plan që do shihte vendet e BE-së të pakësonin konsumin e gazit me 15%.

Të premten, ministri gjerman i Ekonomisë, njëherazi zv. Kancelari Robert Habeck njoftoi se ndërtesat publike në Gjermani nuk do lejohen të vendosin ngrohjen mbi 19 gradë Celsius në vjeshtë dhe dimër. Më herët, ministri u bëri thirrje njerëzve që të shkurtojnë ngrohjen, udhëtimet në sauna dhe dushet.

Një nga faktorët që ka përkeqësuar krizën ka qenë pasiguria e furnizimeve me gaz nga Rusia. Megjithatë, presidenti Vladimir Putin ka hedhur poshtë akuzat se Moska mund të ndërpresë furnizimin me gaz në BE, duke deklaruar se gjiganti energjetik rus Gazprom është ‘gati të furnizojë aq sa është e nevojshme’, por se blloku ‘ka mbyllur gjithçka vetë’.