Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet pas 105 vitesh anija e mbytur e Luftës së Parë Botërore (Video)


Mbeturinat e një anijeje amerikane të goditur me torpedo nga një nëndetëse gjermane në vitin 1917 u gjetën javën e kaluar në Ishujt e Scilly pasi ishte zhdukur për 105 vjet. ‘USS Jacob Jones’ ishte anija e parë amerikane e fundosur nga zjarri i armikut.

Zbulimi u bë nga një grup eksploruesish veteranë britanikë ujorë të quajtur ‘Darkstar’.

“Ne jemi të emocionuar të njoftojmë se kemi identifikuar rrënojat e ‘USS Jacob Jones’, shkatërruesi i parë amerikan që u fundos nga veprimet e armikut. Ajo shtrihet në thellësinë 120 metra nën det, 96 kilometra në jug të Newlyn, Cornwall.” – tha ekipi i zhytësve në një postim në Facebook.

Grupi vuri në dukje se nuk kishte hequr asgjë nga vendi i mbytjes dhe tha se do të kontaktonte Ambasadën e SHBA ‘për hapat e ardhshëm’.

‘Darkstar’ gjuajti vendndodhjet GPS të ofruara nga Zyra Hidrografike e Mbretërisë së Bashkuar dhe gjeti anijen e mbytur në ditën e dytë të kërkimit, tha ekipi për mediat britanike.

Anija, një nga gjashtë shkatërruesit e klasit ‘Tucker’ të ndërtuar para hyrjes së SHBA-së në Luftën e Parë Botërore, ka qenë e shtrirë në shtratin e detit që nga viti 1917 kur u godit me torpedo nga një nëndetëse gjermane.

Sipas historianëve, Jacob Jones u fundos në vetëm tetë minuta pa lëshuar as një sinjal për të kërkuar ndihmë duke marrë me vete 66 persona.

Sipas burimeve të ndryshme, Hans Rose, komandanti i nëndetëses gjermane U-53 që goditi shkatërruesin, mori një ose dy marinarë të plagosur dhe njoftoi me radio bazën amerikane në Queenstoën me koordinatat e përafërta të anijes që po fundosej.

Disa anëtarë të ekuipazhit të ‘Jacob Jones’ ndihmuan që burrat të dilnin nga uji dhe të hynin në gomonen e shpëtimit. Togeri Stanton F. Kalk notoi në ujin e ngrirë të Oqeanit Atlantik derisa vdiq nga të ftohtit dhe rraskapitja. Për veprimet e tij heroike, ai u nderua pas vdekjes me Medaljen e Shërbimit të Shquar të Marinës.