Vendosni fjalën kyçe....

Meta për portin e Durrësit: Rama i ka bërë keq llogaritë, kjo aferë rrezikon marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit


Për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, projekti i Portit të Durrësit përbën një cenim të marrëveshjes sës stabilizim asocimit të Shqipërisë në BE.

Në një konferencë për mediat, Meta u shpreh se kushdo që hyn në një “aventurë” me “një të marrë” duke iu referuar kështu kryeministrit Edi Rama bën një gabim shumë më të madh. Sepse sipas tij, Rama i ka bërë keq llogaritë.

“Partia e Lirisë është e qartë në raport me partnerët ndërkombëtarë. Por investitori më strategjik në këtë tokë është populli i Shqipërisë.

Kush do të shpikë investitorë përmbi kësaj, dhe kush hyn në aventura me një të marrë që është në fundin e pushtetit të vetë, bën gabim shumë të madh që përfshihet në këtë aferë të jashtëzakonshme që mund të shkojë në vlerë 10 herë më të rëndë se inceneratorët.

Rreth 3 mld euro në portin e korridorit 8. Janë marrë tërë ato detyrime në institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe korridoreve europiane, sepse iku koha kur punët e Shqipërisë dhe punët e shqiptarëve i gjykonin zyrtarë dhe burokratë që nuk e kanë lexuar asnjë ditë marrëveshjen e stabilizim asocimit me Shqipërinë.

Vetëm rruga e transparencës së shpejtë mund të qetësojë këtë situatë. Përndryshe Edi Rama i ka llogaritur shumë keq pasojat e kësaj aventure të re. Do jetë përgjegjës ndaj kokëfortësisë së tij.”– tha Meta.

Ish-presidenti tha se qëllimi i Ramës është që të përzërë shqiptarët dhe në vend të vijnë njerëz të pasur, në mënyrë të tillë që të bëjë pazare me ta.

“Nëse do të merremi me skandalet që prodhon kjo qeveri, merremi. Por kjo është dëshira edhe e kësaj qeverie. Të zhvendosim vëmendjen nga prioritetet më të mëdha të vendit tonë, të shoqërisë tonë. Kjo është aventurë e shpallur, që të ikin shqiptarët dhe të vinë ata nga Bangladeshi. Dhe këta do i mbajmë 1 vit, sa të mendojnë shqipen, se pastaj po e mësuan do i largojmë. Edhe kjo është në vazhdën e kësaj logjike. Që të sjellim nga e gjithë bota njerëz të pasur, të ikin shqiptarët, të bëjmë pazare me ta dhe ata të bëjnë pronat e shqiptarëve, të kthehen në shërbëtor. Këto janë skenarë që nuk do të funksionojnë. Siç është çështja e Pallatit të Brigadave. Ata do të kujdesen që Pallati i Brigadave të ketë më gjelbërim, por jo jo. Edhe aty e kanë mendjen te kullat dhe metrat katrorë. Nisi me 20% në Tiranë dhe po kalon me qindra përqind.”- tha ai.

Meta u pyet edhe për protestat dhe theksoi se Partia e Lirisë do mbështesë çdo kauzë qytetare. Një thirrje ai e kishte edhe për punonjësit e administratës që të mos përdoren nga askush.

“Ne do dalim në përkrahje të çdo iniciative qytetare se protesta është vetë demokracia.

Ky është zgjim i pandalshëm. Ne do bashkëpunojmë me cdo forcë politike opozitare, me cdo grup interesi, me lëvizjet qytetare për të rivendosur llogarishënien urgjente në këtë vend. Ky është i pandalshëm e këtë më mirë se kushdo e di vetë Rama. Historia ka ndryshuar një herë e përgjithmonë. Këto borxhe do i paguajë ai i pari dhe gjithë shpura e tij. I bëj thirrje gjithë punonjësve në shtet të jenë shumë të kujdesshëm mos përdoren si bedela për të firmosuer shkresa e akte të paligjshme se do marrin në qafë veten e familjet e tyre.”– u shpreh Meta.