Drejtori i Përgjithshëm i Pfizer ka rezultuar pozitiv me Covid-19, zbuloi ai në një seri postimesh në Tëitter të hënën. Shefi ekzekutiv i gjigantit farmaceutik shtoi se ai po merrte antiviralin e kompanisë së tij, Paxlovid, duke bërë disa reklama falas për pilulën e re të shtrenjtë.
“Ne kemi arritur aq larg në përpjekjet tona për të luftuar këtë sëmundje saqë kam besim se do të kem një shërim të shpejtë.” – shkroi Albert Bourla në Twitter, duke lavdëruar punonjësit e tij për përpjekjet e tyre.
Ndërsa Paxlovid u miratua muajin e kaluar në bazë të përdorimit urgjent për të trajtuar individët e vaksinuar me simptoma Covid-19, të dhënat e vetë Pfizer paralajmërojnë se aftësitë e tij në luftimin e virusit te pacientët e vaksinuar janë të papërfillshme në rastin më të mirë.
Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve lëshuan një paralajmërim në maj për mundësinë e simptomave pas një kursi trajtimi me antiviral dhe disa marrës të njohur të Paxlovid kanë përjetuar simptoma të tilla, duke përfshirë këshilltarin kryesor mjekësor të SHBA Anthony Fauci dhe Presidentin Joe Biden.
Midis shitjeve të vaksinës së saj të bazuar në mRNA dhe antiviralëve të rinj, fitimet e Pfizer kanë arritur nivele të larta të papara këtë tremujor. Kompania raportoi 9.91 miliardë dollarë fitime për tremujorin e dytë të 2022 dhe pret të shesë 32 miliardë dollarë në doza vaksinash dhe 22 miliardë dollarë në Paxlovid këtë vit, me të ardhurat totale që parashikohen të arrijnë deri në 102 miliardë dollarë.
Shitjet e Pfizer ishin dyfishuar tashmë në vitin 2021, duke bërë që disa të akuzonin kompaninë për ‘përfitim pandemik’ duke rritur koston e vaksinave për vendet e pasura dhe duke ua ndaluar formulën kombeve më të varfra.
Pfizer ka pretenduar se kostoja e zhvillimit dhe testimit të ilaçit duhet të rimbursohet, edhe pse gati gjysma e këtij financimi erdhi nga qeveria gjermane. Oxfam vitin e kaluar vlerësoi se Pfizer dhe Moderna u faturonin qeverive deri në 41 miliardë dollarë më shumë sesa kostoja e prodhimit të vaksinave.
Fuqia lobuese e paparë e Pfizer, e përforcuar nga dy vjet fitime nga pandemia, i ka dhënë firmës një rol të madh në bërjen e politikave të shëndetit publik. Raund pas raundi, doza të reja përforcuese shpallen dhe përqafohen edhe pse agjencitë shëndetësore argumentojnë se ato nuk janë të nevojshme.
Kritikët argumentojnë se virusi po ndryshon më shpejt se sa mund të prodhohen përforcues të rinj dhe zyrtarët shëndetësorë pranojnë se dështimi i vaksinave për të bllokuar transmetimin i bën ato minimalisht të dobishme në kontrollin e epidemisë.
Në të vërtetë, shumë zyrtarë të shëndetit publik kanë shprehur shqetësime se politika shëndetësore po udhëhiqet nga kompania e barnave. Zhvilluesi i vaksinës Rotavirus, Paul Offit, paralajmëroi vitin e kaluar pasi Biden ndoqi drejtimin e Bourla-s dhe jo atë të FDA-së në rekomandimin e përforcuesve të Covid tek amerikanët se roli i profesionistëve po eklipsohej nga Pfizer.
“Kompanitë farmaceutike po veprojnë si agjencitë e shëndetit publik.” – u ankua ai.
CDC në fillim të këtij muaji braktisi shumicën e këshillave të saj të epokës së pandemisë, duke pranuar me vonesë se virusi është bërë endemik në të gjithë SHBA-në.
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani