Një grup prej 38 emigrantësh, mes të cilëve edhe një grua shtatzënë, janë gjetur të bllokuar në një ishull të vogël, pa emër, përgjatë kufirit turko-grek.
22 burra, nëntë gra dhe shtatë fëmijë thonë se kanë qenë në ishullin e lumit Evros që nga mesi i korrikut.
Pasi u gjetën të hënën, ata u dërguan në Greqinë kontinentale.
Ministri i migracionit i vendit tha se grupi ishte i gjithi në një “gjendje shumë të mirë” dhe gruaja shtatzënë ishte dërguar në spital si masë paraprake.
Mirëpo të paktën një fëmijë kishte vdekur në ishull, i cili është afër qytetit grek të Lavara, sipas grupit dhe agjencive të të drejtave të njeriut. Policia greke ende nuk e ka konfirmuar këtë.
Kishte paqartësi mbi vendndodhjen e grupit dhe për këtë arsye nëse Turqia apo Greqia duhej të kishin ndërhyrë për të ndihmuar. Autoritetet greke fillimisht thanë se njerëzit të cilët e identifikojnë veten si sirianë – ishin në territorin turk.
Ata u gjetën përfundimisht rreth 4 km në jug të koordinatave jashtë territorit grek që u raportua fillimisht disa ditë më parë. Kjo është arsyeja pse, sipas policisë greke, emigrantët nuk ishin gjetur më herët.
Baida, një nga gratë e grupit, tha se po trajtohej si “një lojë futbolli midis dy palëve” Turqisë dhe Greqisë.
“Askush nuk na do. Askush nuk na dëgjon. Askush nuk dëshiron të ndihmojë.”– shtoi ajo. Sipas BBC-së.
Trajtimi i Greqisë ndaj emigrantëve që përpiqen të arrijnë në Evropë nga Turqia është parë me shqetësim nga organizatat prej disa vitesh.
Grupet e të drejtave të njeriut pretendojnë se mijëra njerëz që kërkonin azil janë përzënë përpara se t’u jepej mundësia për të aplikuar për azil. Gjithashtu ka shkaktuar grindje brenda BE-së pasi një zyrtar i lartë pretendoi vitin e kaluar se Greqia po shkelte të drejtat themelore evropiane.
Disa refugjatë thonë se janë kthyer me forcë në ujërat turke. Qeveria greke i ka mohuar gjithmonë këto pretendime dhe këmbëngul se është në përputhje me ligjin evropian dhe ndërkombëtar.