Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në një intervistë për median Radio Televizionin e Kosovës, foli për situatën në veri të Kosovës dhe nismën “Ballkani i Hapur”.
Presidenti Begaj theksoi se Serbia nuk promovon paqen por hiqet sikur është neutrale dhe promovon destabilitet në veri të Kosovës.
Kreu i Shtetit theksoi se Serbisë i duhet dhënë një mësim që marrëveshjet e firmosura duhen impementuar.
“Nuk duhet të analizojmë retorika për çështje nacionale. Jemi në kohën e modernizmit. Nuk do të pranohet në asnjë rrethanë dhuna. Dhuna sjell mjerim. Mesazhet do të jenë të qarta që të garantohet që kushdo që të promovojë dhunën, do të dënohet. Serbia nuk promovon paqen por hiqet dhe duket sikur është neutrale por promovon destabilitet në veri të Kosovës.
Mendoj që i duhet dhënë një mësim që marrëveshjet e firmosura duhen implementuar. Rruga e duhur është drejt avancimit me njohjen reciproke të dy vendeve, Duhet të jemi të duruar. Duhet të luftojmë për të ruajtur paqen. Paqja nuk ka çmim. Serbia e di shumë mirë se çfarë do të thotë të hapë një front konflikti të ri. Ngjarjet në Ukrainë duhet të na bëjnë të mendojmë dy herë në rast të një konflikti të ri”-deklaroi Kreu i Shtetit.
Lidhur me nismën Ballkani i Hapur, Begaj tha se nëse do jetë iniciativë gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e 6 vendeve duhet të mbështetet.
Ballkani i Hapur nëse do të jetë iniciativë në planin gjithëpërfshirës dhe me pjesëmarrjen e 6 vendeve të Ballkanit perëndimor që do të bëjë të mundur shkëmbimin e lirë të mallrave, them se është shumë e duhur. E di që Kosova dhe Shqipëria kanë qëndrime të kundërta për këtë gjë por kjo sjell diversitetin”-deklaroi Presidenti.