Vendosni fjalën kyçe....

E turpëruan në skenë, Akademia e “Oscars” i kërkon falje aktores Sacheen Littlefeather pas 50 vitesh


Akademia i ka kërkuar falje Sacheen Littlefeather, një aktiviste dhe aktore vendase amerikane që u turpërua në skenë gati 50 vjet më parë.

Ajo u shfaq live në skenë në ceremoninë e vitit 1973 për të refuzuar një “Oscar” në emër të Marlon Brando, i cili kishte fituar çmimin e aktorit më të mirë për rolin e tij në filmin “The Godfather”.

Brando e refuzoi çmimin për shkak të keqinterpretimit të amerikanëve vendas nga industria e filmit në SHBA.

Akademia tha se Littlefeather duroi një abuzim “të pajustifikuar“.

“Nuk e kisha menduar kurrë se do të jetoja për të parë ditën kur do ta dëgjoja këtë.”– tha ajo për Hollywood Reporter.

Littlefeather, asokohe 26-vjeçare, u turpërua duke ia bërë “booo” dhe u shmang nga industria e argëtimit pas fjalimit të saj të shkurtër.

Organizatorët thanë se fjalimi i saj ishte deklarata e parë politike në ceremoninë televizive – duke filluar një trend që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Duke u prezantuar në emër të Brandos i cili shkroi “një fjalim shumë të gjatë”, ajo i tha shkurt audiencës “se ai me shumë keqardhje nuk mund ta pranojë këtë çmim shumë bujar”.

“Dhe arsyet për këtë janë trajtimi i amerikanëve indigjenë sot nga industria e filmit dhe në televizion”- tha ajo duke u përballur me “boo” nga të pranishmit, por edhe me duartrokitje nda disa.

Në vitin 2020, Littlefeather tha për BBC-në se menjëherë pas fjalimit iu desh të largohej nga skena me dy roje sigurie. Por, ajo shtoi se “ishte një gjë shumë e mirë” pasi aktori John Wayne ishte në prapaskenë (i rrethuar nga gjashtë persona të sigurisë). Ajo tha se ai ishte “i zemëruar me Marlon dhe i tërbuar me mua” dhe donte ta tërhiqte vetë nga skena.

Brando kishte shkruar një fjalim shumë më të gjatë, por Littlefeather u udhëzua nga ekipi i prodhimit të ceremonisë që ta mbante në 60 sekonda.

Ajo u ndoq live në televizion nga 85 milionë njerëz. Disa raporte mediatike pas eventit pretenduan se Littlefeather nuk ishte vërtet një amerikane vendase, por përkundrazi se ajo e pranoi fjalimin për të ndihmuar karrierën e saj të aktrimit. Disa spekuluan madje se ajo mund të ishte e dashura e Brandos. Por Littlefeather thotë se të gjitha këto kanë qenë të pavërteta.