FIFA ka pezulluar Federatën e Futbollit të Indisë (AIFF) me efekt të menjëhershëm për shkak të “ndikimit të panevojshëm nga palët e treta”.
FIFA më herët paralajmëroi shoqatën e futbollit të Indisë se mund të përballet me një ndalim dhe gjithashtu t’i hiqet e drejta për të qenë nikoqir i Kupës së Botës për Femra U-17 në tetor për shkak të “devijimeve” nga një udhërrëfyes i rënë dakord më parë që kishte për qëllim adresimin e çështjeve të qeverisjes.
“Byroja e Këshillit të FIFA-s ka vendosur unanimisht të pezullojë Federatën e Futbollit të Indisë (AIFF) me efekt të menjëhershëm për shkak të ndikimit të padrejtë nga palët e treta, që përbën një shkelje serioze të statutit të FIFA-s”, thuhet në një deklaratë të FIFA-s.
Në deklaratë gjithashtu thuhet se pezullimi do të hiqet “pasi të jetë shfuqizuar një urdhër për ngritjen e një komiteti administratorësh për të marrë kompetencat e Komitetit Ekzekutiv të AIFF-së dhe administrata e AIFF-së të rimarrë kontrollin e plotë të punëve të përditshme”.
Zgjedhjet e AIFF-së do të mbaheshin brenda dhjetorit 2020. Megjithatë, ato u vonuan për shkak të ngërçit në finalizimin e konstituimit të saj.
Gjykata e Lartë e Indisë shpërndau AIFF-në në maj dhe caktoi një komitet prej tre anëtarësh për të qeverisur me institucionin, për të ndryshuar kushtetutën e AIFF-së dhe për të zhvilluar zgjedhjet që kanë qenë në pritje për 18 muaj.
Sipas statutit të FIFA-s, anëtarët duhet të menaxhojnë punët në mënyrë të pavarur dhe të sigurojnë që punët e tyre të mos “ndikohen nga palët e treta”.
Gjykata e Lartë ka urdhëruar së fundmi që zgjedhjet për komitetin ekzekutiv të AIFF-së të mbahen më 28 gusht.
FIFA tha gjithashtu se India nuk do të jetë në gjendje të jetë nikoqir i Kupës së Botës për Femra U-17 këtë vit në tetor.
“Pezullimi nënkupton që Kupa e Botës për Femra U-17 FIFA 2022, e planifikuar të zhvillohet në Indi më 11-30 tetor 2022, nuk mund të mbahet aktualisht në Indi siç ishte planifikuar”, thuhet në njoftim, duke shtuar se FIFA po vlerëson hapat e ardhshëm në lidhje me turneun.
Organizata botërore e futbollit tha gjithashtu se është në kontakt të vazhdueshëm konstruktiv me Ministrinë e Çështjeve të Rinisë dhe Sporteve në Indi dhe “shpreson që ende mund të arrihet një rezultat pozitiv për rastin”.