Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta gjatë një takimi me strukturat dhe mbështetës në Vlorë e cilësoi referendumin si kushtin për koalicion në të ardhmen.
Meta theksoi se do jetë referendumi dhe jo numri i bashkive kusht për koalicion në të ardhmen.
“Jemi njerëz që meritojmë të jetojmë të lirë dhe jo të jetojmë për një copë bukë dhe lëmoshë. Duhet të tregojmë se është vendi i të gjithëve dhe jo i atyre që shtypin të tjerët. Kjo situatë ku jemi është për shkak të opozitës dhe braktisjes së institucioneve. Ju i dini këto që kanë ndodhur, por janë një mësim i madh për të ndezur motorët dhe për të mbledhur njerëzit e ndershëm rreth vetes, pasi vendi është në rrezik. Nëse largohen dhe 100 mijë shqiptarë do të jetë katastrofale. Angazhimi ynë për referendumin synon këtë gjë, që të rikthejë kontrollin e popullit ndaj institucioneve. Populli e vendosi në 98-ën këtë por ata bënë një ligj që ja mohon të drejtën e referendumit.
Kushti jonë në çdo koalicion në të ardhmen do të jetë referendumi dhe jo duam kaq dhe aq bashki. Populli duhet ta zbatojë referendumin që të marrë kontrollin e vendit të vet, pasi janë bërë të huaj në vendin e tyre. Kaq kërkon Partia e Lirisë, të marrë kontrollin populli. Kam besim tek ju dhe te të gjithë vlonjatët, mos prisni të na qajnë hallin SHBA-ja dhe Gjermania”-deklaroi Meta.