Vendosni fjalën kyçe....

Nëna e katër fëmijëve u rrëmbye nga mafia shqiptare në Milano, postimi në rrjetet sociale i shpëton jetën



Mediet hungareze raportojnë për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në Milano, ku një grua nga Hungaria është rrëmbyer, droguar dhe dhunuar nga një bandë mafioze shqiptare.

Sipas këtyre raportimeve, nëna e katër fëmijëve është rrëmbyer me qëllim për ta detyruar të merrej me prostitucion. Gruaja e dëshpëruar thuhet se kërkoi ndihmë në një grup të mediave sociale për hungarezët në Milano.

E trembur për vdekje ajo shkruante në postim se ishte e mbyllur, e droguar dhe e dhunuar. Ndonëse shumë njerëz nuk e besuan, një grua hungareze, gjithashtu me banim në Milano, mori masa për ta liruar bashkatdhetaren e saj.

Pas shpëtimit të gruas, bashkëatdhetarja e guximshme që i besoi që në fillim dhe kërkoi ndihmë në polici zbuloi se viktima ishte rrëmbyer dhe abuzuar nga anëtarë të një organizate kriminale ballkanike në Milano. Siç raporton portali hungarez i lajmeve Borsonline, nëna e katër fëmijëve ishte droguar, abuzuar, grabitur dhe detyruar të prostituonte nga një tregtar droge shqiptar.

Viktima ishte në rrezik dhe është kërcënuar vazhdimisht duke u qëlluar me armë zjarri. “Ajo nuk do të kishte pasur mundësi të kthehej në shtëpi nëse unë nuk do t’i besoja të gjitha dhe do të reagoja shpejt.”– shkruan gruaja që i shpëtoi jetën nënës hungareze.

Policia thuhet se e arrestoi dhe burgosi autorin shqiptar megjithëse nuk jepen detaje. Nëna hungareze e katër fëmijëve pati shumë fat që në ndihmë i erdhi bashkatdhetarja e saj. Media hungareze thotë se “Ngjarja mizore duket se i ka shpëtuar vëmendjes së autoriteteve vendase, pasi deri më tani asnjë portal lajmesh milanez nuk ka raportuar për rrëmbimin si thriller”.