Dy vëllezër janë arrestuar në Dibër pasi akuzohen për vjedhjen me dhunë të një banese.
Në pranga kanë rënë Fjoralb e Arsen Mani, 25 e 27-vjeç, banues në fshatin Pejkë të Maqellarës.
Sipas policisë, dy vëllezërit janë futur me forcë në banesën e një shtetaseje në fshatin Pejkë dhe kanë vjedhur me dhunë një shumë të hollash e sende të tjera me vlerë.
Njoftimi
“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Dibër, operacioni policor i koduar “Goods”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
I vodhën me dhunë para dhe sende personale në banesë, një shtetaseje, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, identifikohen dhe vihen në pranga 2 vëllezërit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Postës së Policisë Maqellarë, pas marrjes së njoftimit se 2 persona të paidentifikuar kishin hyrë në banesën e një shtetaseje, në fshatin Pejkë dhe i kishin vjedhur me dhunë, një shumë parash dhe sende personale (varëse dhe orë), menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tyre, në kuadër të operacionit policor të koduar “Goods”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale, nga ana e shërbimeve të Policisë u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve:
-F. M., 25 vjeç dhe A. M., 27 vjeç, (vëllezër) banues në fshatin Pejkë, Maqellarë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.”